Edi Rama ka pasur mundësinë me qindra herë të zgjidhte në favor të qytetarëve dhe jo në favor të krimit, të zgjidhte të ndihmonte njerëzit dhe jo të pasuronte veten e tij dhe oligarkët, të zgjidhte të ndihmonte vogëlushët shqiptarë e jo t’u vidhte paratë e bukës së gojës, të zgjidhte të ndihmonte pacientët shqiptarë dhe jo të pasuronte 3 oligarkët e koncesioneve.
Të gjitha herët që Edi Rama ka qenë përpara këtyre dy zgjedhjeve, kurrë nuk zgjodhi popullin, kurrë nuk zgjodhi njerëzit.
Ai sakrifikoi gjithmonë të mirën e qytetarëve.
Sakrifikoi sigurinë tuaj për krimin.
Sakrifikoi ekonominë tuaj për oligarkinë.
Sakrifikoi të ardhmen tuaj, votën tuaj për pushtetin e tij personal.
Sot jam para jush krenar, si kryetari i një opozite dhe i Partisë Demokratike të Shqipërisë, që sakrifikoi mandatet e saj për t’u rreshtuar në krahun tuaj.
E në krahun tuaj do të jem e do të jemi deri në fund. Sepse beteja jonë nuk bëhet për karrige, beteja jonë nuk bëhet për pushtetin tonë, bëhet për një transformim jetik pa të cilin nuk ka të ardhme, pa të cilin nuk ka ekonomi, pa të cilin nuk ka siguri, pa të cilin nuk ka punësim.
Bëhet për një transformim jetik, që e bëri Evropën Evropë dhe Amerikën Amerikë. Beteja jonë bëhet që pushteti këtej e tutje, me kushtetutë, me Kod Zgjedhor, me të gjitha levat dhe mekanizmat, të jetë me të vërtetë i qytetarëve shqiptarë.