Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për publikimin e një video, ku drejtori i Kadastrës, Artan Lame thotë se, kemi urdhër nga Rama që të premtojmë për fushatë për 100 legalzime, por nuk do t’i legalizojmë.
Basha nga Kamza e ka cilësuar këtë si akt kriminal. Para qindra mbështetësve demokratë Basha tha se, Rama premton legalizime, por në të vërtetë kërkon të marrë votën e qytetarëve duke mashtruar.
Në fjalën e tij Basha tha: “Drejtori i Kadastrës me porosi të Ramës udhëzon që të shkojnë derë më derë e t’u thonë familjeve që do t’jua bëjmë legalizimin pasi të na e jepni votën, por në fakt ne nuk mund t’jua bëjmë po s’mund t’jua themi tani.
Ky është një akt kriminal se çdo shtëpi nga ato qindra mijëra që ai do ti prishë pas 25 Prillit është sakrifica e jetës, është sakrifica e familjes, është sakrifica e bijve dhe bijave tuaja në emigracion.
Premton legalizim kur në fakt qëllimi është t’jua prishë pas zgjedhjeve pa dëmshpërblim, vetëm që t’ju marrë votën me mashtrim.
Ky është Edi Rama i vërtetë, ky është Edi Rama i 8 viteve që vetëm pak metra më tej firmosi legalizimin falas. Ja, dëgjojeni siç e dëgjoi gjithë Shqipëria sot, kjo është politika që shkatërroi vendin për 8 vite me radhë, ky është njeriu që kërkon edhe 4 vite të tjera.
Le ta marrë përgjigjen nga Kamza, nga Paskuqani, nga Zall-Herri, nga Tirana dhe nga gjithë Shqipëria, më 25 Prill ne do e largojmë duke votuar numrin 9”.