Aleanca kundër krimit në pushtet po rritet çdo ditë, i mirëpritur kushdo që është për dekriminalizimin, luftën kundër drogës dhe zgjedhjet e lira.
Gjithkush që është kundër krimit në pushtet, kundër drogës dhe kundër prishjes dhe kapjes së zgjedhjeve është i mirëpritur në aleancën qytetare për largimin e Edi Ramës dhe kthimit të vendit në normalitet. Ka qenë ky mesazhi që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përcjellë nga takimi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Vorës, mes të cilëve edhe shumë përfaqësues të së majtës të zhgënjyer nga Edi Rama. Aleanca kundër krimit në pushtet po rritet çdo ditë, tha zoti Basha, duke theksuar se kësaj aleance i janë bashkuar edhe kritikë të fortë dhe të hapur ndaj Partisë Demokratike. Sepse të gjithë sot e dinë se me Edi Ramën e keqja ka pllakosur Shqipërinë. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se pa dekriminalizimin e pushtetit nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të ketë siguri dhe mirëqenie për qytetarët.
“Që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që shqiptarët të mos kenë frikë nga krimi për të hedhur votën ashtu siç duan është e domosdoshme që të thyhet cikli i drogës dhe krimit.
Po si erdhi droga dhe krimi?!
Edi Rama në fillim mbushi administratën me kriminelë, solli kriminelët në Parlament, i vuri në poste kyçe, i bëri kryetar bashkish. Dhe pasi kriminalizoi strukturën shtetërore e ktheu Shqipërinë në një hambar droge. Hambari i drogës tani prodhon me skllavërimin e mijëra shqiptarëve miliona euro për këta kriminelë dhe për Edi Ramën.
Hallka që duhet këputur është ajo midis krimit dhe pushtetit. Ne kemi hedhur një hap të madh si opozitë dhe për këtë duhet të jemi krenarë që është ligji për dekriminalizimin.
Është e qartë se po t’i largohen një nga një figurat kriminale me të cilat menaxhon dhe mban pushtetin, ky është fundi i Edi Ramës. Prandaj nuk e zbaton ligjin e dekriminalizimit.
Po të zbatohet ligji për dekriminalizimin, Shqipëria nuk do të mbushej me drogë. Po mbi të gjitha është e qartë dhe ju e keni më të qartë se askush tjetër që krimi në pushtet, droga dhe korrupsioni ka një dhe vetëm një qëllim, t’ju marrin votën, t’ju marrin pushtetin. Dhe pastaj me pushtetin që iu marrin prapë t’ju vjedhin, prapë t’ju venë zabërhanë e kriminelë mbi kokë, që kur të vijë radha, prapë t’ju marrin votën.
Rruga e vetme për të ndalur këtë qerthull shkatërrues për Shqipërinë dhe shqiptarët është t’i themi Edi Ramës që me ty nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Lideri i opozitës theksoi se realiteti, të cilin po përjetojnë sot qytetarët nuk është i rastësishëm, por pasojë e lidhjeve me krimin sepse kështu Edi Rama mendon se do të mbajë pushtetin dhe do të blejë votën. Pasiguria, varfëria dhe hashashizimi i Shqipërisë janë pasojat e kriminalizimit të pushtetit dhe korrupsionit galopant, theksoi zoti Basha. Qytetarët e varfëruar në 3 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës po përdoren si skllevër në arat e hashashit të bashkëpunëtorëve të tij. Nuk i mjafton drogimi i Shqipërisë, tha Basha, tani Edi Rama do edhe ta helmojë me plehrat që do të sjellë me ligjin e tij.