“Standardet evropiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm, duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që çlirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatim i Reformës në Drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus”
Basha dhe ministri Alfano diskutuan në lidhje me rritjen e shqetësimit për shumëfishimin e kultivimit të kanabisit në veçanti, dhe trafikimit të kësaj droge që ka afektuar rëndë vendin fqinj. Kjo e konfirmuar edhe nga Prokurori Kombëtar i Antimafies, Franco Roberti
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar dje me ministrin e Jashtëm të Republikës së Italisë, Angelino Alfano mbi situatën politike si dhe angazhimin e opozitës për t’i shkuar deri në fund kauzës së ngritur për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha falenderoi ministrin Alfano për bashkëpunimin si dhe mbështetjen që Italia ka dhënë dhe jep në proceset integruese në Shqipëri. Diskutimi u fokusua tek aktualiteti politik në vend, dhe tek kërkesat e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha i tha ministrit të Jashtëm italian se qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme, sipas standardeve evropiane. Integrimi evropian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri evropiane, pohoi Basha. Kryetari i Opozitës sqaroi se, këto standarde evropiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm, duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që çlirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus. Basha dhe minsitri Alfano diskutuan në lidhje me rritjen e shqetësimit për shumëfishimin e kultivimit të kanabisit në veçanti, dhe trafikimit të kësaj droge që ka afektuar rëndë vendin fqinj. Kjo e konfirmuar edhe nga Prokurori Kombëtar i Antimafies, Franco Roberti. Fatkeqësisht, raporti i fundit i Europol dhe Departamentit të Shtetit flasin me shqetësim për Shqipërinë si një port në Evropë për tranzitin e drogave të rënda, dhe e nxjerrin vendin tonë si burim kryesor për kanabisin. Basha përcolli me shqetësim dhe moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit nga qeveria, si dhe faktin që akoma në Parlament, në bashki dhe në poste publike, ka persona me rekorde kriminale. Basha e falenderoi ministrin Alfano për kontributin e paçmueshëm të Italisë mike në rrugëtimin 27-vjeçar të Shqipërisë së hapur dhe demokratike dhe shprehu bindjen në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.