Basha: Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike

Kryetari Basha, drejtues të Partisë Demokratike, familjarë dhe të afërm të Azemit bënë homazhe tek memoriali i Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

  • Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike.
  • Plaga e 12 Shtatorit është akoma e hapur pas 21 vjetësh. Krimi vazhdon të ketë mbrojtjen dhe postet shtetërore. Pushteti nuk buron nga vota, por nga krimi dhe korrupsioni.
  • E sotmja është një thirrje për bashkim mes shqiptarëve të ndershëm, që nuk e pranojnë politikën e lidhur me krimin. Mbyllja e tranzicionit dhe Shqipëria si Europa është nderimi më i madh për Azem Hajdarin.

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Sot shqiptarët anembanë nderojnë Azem Hajdarin, liderin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, kreun e Komitetit Nismëtar, themelues të partisë së parë pluraliste, të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i cili u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit bashkë me shoqëruesin e tij, Besim Çerja më 12 shtator 1998.

Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane, të një Shqipërie demokratike ku qytetarët janë zotër të fateve tyre, të një Shqipërie me politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe prapa hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë e të ndershme si më të mirët dhe më të aftët për të marrë barrën e përgjegjësive dhe për ta çuar atë drejt finalizimit me sukses.

Sot në këtë 21 vjetor akoma është aktuale plaga e hapur më 12 shtator 1998. Krimi vazhdon të ketë uniformat, mbrojtjen dhe postet shtetërore. Shqiptarët vazhdojnë të vuajnë ekonomikisht, të jenë pa punë, të kërkojnë shpëtim rrugëve të botës, për shkak të një pushteti që nuk buron nga vota dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve, por buron nga krimi dhe korrupsioni dhe i shërben krimit dhe korrupsionit.

Ndaj e sotmja është, po kështu, edhe një thirrje për bashkim, mes gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve, opozitarëve dhe socialistëve të ndershëm, që kurrë nuk e kanë pranuar dhe nuk mund ta pranojnë politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë dhe për të hapur bashkë rrugën e Shqipërisë si e gjithë Evropa.

21 vjet pas sakrificës sublime të liderit të studentëve të dhjetorit 1990, ka ardhur koha që rinia shqiptare dhe gjithë shqiptarët e bashkuar, ta mbyllin siparin e dhimbshëm të tranzicionit dhe të hapim rrugën e vlerave të demokracisë, të lirisë, të barazisë para ligjit dhe të mundësive të barabarta për çdo shqiptar. Ky është dhe nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe për dhjetëra e qindra të tjerë të sakrifikuar në altarin e lirisë dhe demokracisë.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Lavdi veprës së tij!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

auto 3b4cc369 3d12 4b9a 95c1 5c835da6192f1568278005

 

Exit mobile version