Nga Kuvendi Zgjedhor i Degës 6 në Kombinat, Basha u shpreh se “angazhimi ynë për një kulturë të re politike fillon me fundin e pandëshkueshmërisë dhe nga kjo buron edhe dhënia pa asnjë kusht mbështetje politike për SPAK”.
“Mesazhet e aleatëve tanë janë të qarta: mbështetje pa kompromis për drejtësinë, fund pandëshkueshmërisë, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qëndrimet tona janë të qarta dhe do të jenë të qarta deri në fund. Asgjë në këtë botë nuk është përfekte, as reforma në drejtësi, as SPAK-u. Por SPAK-u ka përsipër një mision të ngarkuar nga shqiptarët, me pritshmëri të larta nga shqiptarët, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Dhe këtu padiskutim që PD e shikon fare qartë interesin publik. Angazhimi ynë për një kulturë të re politike fillon me fundin e pandëshkueshmërisë, fillon me barazinë para ligjit. Aty ku qytetarët gjobiten me të drejtë apo me të padrejtë, arrestohen për shkeljet më të vogla, por më të mëdhenjtë e shkelësit të ligjit, ata që vjedhin miliona, që dhunojnë, që abuzojnë dhe akumulojnë pushtet i ikin ndëshkimit, një shoqëri e tillë nuk ka lidhje as me Europën, as me të ardhmen që ne projektojmë për fëmijët tanë. Ndaj hapi i parë pa pikë diskutimi, duhet të jetë fundi i pandëshkueshmërisë. Ky është prioritet politik i Partisë Demokratike, sepse është prioritet jetik për shqiptarët dhe nga kjo buron edhe dhënia pa asnjë kompleks, pa asnjë kusht, pa asnjë rezervim e mbështetjes politike nga PD për SPAK për të kryer deri në fund misionin që është ngarkuar.”