Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ishte sërish sonte në protestën e banorëve të Unazës së Re mbrëmjen e sotme. Në një prononcim për mediat ai tha se sot jo vetëm banorët e Unazës së re, por edhe studentët janë ngritur kundër kësaj qeverie.
Sipas tij sot të rinjtë dhe shqiptarët e kanë kuptuar që i vetmi projekt i kësaj qeverie dhe këtyre kriminelëve është grabitja.
Ai tha se projekti i vetëm i Ramës është që ta lërë këtë popull në injorancë dhe t’i vjedhë më lehtë, por sot shqiptarët e kanë kuptuar dhe po qëndrojnë.
Kemi protestën tek Unaza e Re, protestën në Shkozë, tek Bulevardi i ri, kemi dhe protestën e studentëve. Të gjitha këto protesta i bashkon një qeveri që ka në programin e saj vetëm grabitjen dhe asnjë arsye tjetër. Këtu tek Unaza e re ka një aferë të madhe korruptive. Ajo që ka ndodhur sot në protestën e studentëve është një stepje e kësaj qeverie, sepse ju është prishur rehatia. Studentët ju prishën rehatinë. Ata duan të vjedhin në rehati. Studentët kërkojnë ulje të tarifave, pr qeveria nuk do t’ia dijë. Ky që mori Elvis Roshin, Mark Frroku, Saimir Tahirin dhe dhjetëra kriminelë të tjerë, ju thotë banorëve shpellarë.
Pse e bën këtë? Sepse këta njerëzi i kanë prishur rehatinë. Ky ka vetëm një politikë grabitjen, nuk ka politikë tjetër. Rama nuk investon tek arsimi, por ka çuar 40 milionë euro tek Sheshi Skënderbej, por shihni se si janë konviktet dhe kushtet e studentëve. Rama po vjedh me oligarkët e tij dhe po i çon në parajsa fiskale. Edi Rama i do shqiptarët injorantë sepse kështu vidhen më kollaj. E vetmja mënyrë për ti bërë ballë kësaj qeverie është bashkimi. Shqiptarët e kanë kuptuar që është bashkimi ai që do rrëzojë këtë qeveri.
Bejta vazhdon. Detyra ime dhe detyra juaj është t’u tregojmë shqiptarëve se ky kryeministër nuk merret me gjë tjetër vetëm me vjedhje. Të rinjtë e kanë kuptuar këtë janë bashkuar, dhe sot kanë arritur një sprapsje të parë dhe i kanë prishur terezinë hajdutëve. Ashti siç ju kanë prishur rehatinë hajdutëve edhe në Unazën e Re. Rama e bën biznesin me ata që kanë 4 klasë. Edhe ata oligarkët me 4 klasë janë. Jam shumë i lumtur sot që studentët ditën të tregojnë forcën e bashkimit.