Basha-Danielson: Zgjedhjet dhe krimi probleme kardinale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielson me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Drejtori i Integrimit në BE, vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe në opozitë, në veçanti për Reformën në Drejtësi.
Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit, është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor, u shpreh zoti Basha. Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës. Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbështetje qeveritare, u shpreh zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtori për Zgjerimin bashkëndanë vlerësimin se vëmendja maksimale për çështjet e mprehta që po vuan vendi, si droga dhe krimi i organizuar, zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit, është e një rëndësie kardinale në përballimin e këtyre sfidave.

Artikulli paraprakBeqja: Në emër të partisë je i shkarkuar
Artikulli tjetërFaqja e pare