Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vendosur të flasë me emra konkretë. Duke prezantuar paketën për ‘Çlirimin e zgjedhjeve nga krimi’, Basha ka përmendur të fortët dhe bandat që PS ka angazhuar në zgjedhje dhe që i kanë mbledhur votat për Rilindjen e Ramës.
‘Krimi është një nga shtyllat kryesore të PS. Bajrat e Shkodrës u kthyen në punëtorë elektoralë.
Më shumë lidhje em politikanët sesa me kriminelët.
E njejta gjë edhe në Elbasan. Po ashtu edhe në rastin e Tahirit. Më shumë vota i sollën Ramës, bandat e krimit.
Edhe në Durrës, banda e Lulzim Berishës.
Në Vlorë kaluam.
Në Dibër, Ymer Lala”, u shpreh Basha.
Në prezantimin e platformës për “çlirimin e zgjedhjeve” nga krimi Basha akuzoi Prokurorinë se po mban peng një sërë hetimesh ku vërtetohet sipas tij mbështetja e poltikës nga krimi dhe se krimi është një nga shtyllat kryesore të PS-së. “Kriminali Rraja njihet si kundërshtar zgjedhor se ne nuk ndeshemi me socialistët por me kriminelët. Orgjina e situatës së krimit në Shqipëri, është krimi elektoral”, u shpreh më tej Basha ndërsa tha se platforma për “çlirimin e zgjedhjeve” nga krimi do të bazohet mbi 4 shtylla kryesore.
Deklarata e plotë e Bashës
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk janë vetëm themeli i demokracisë por edhe themeli i shtetit të së drejtës, i mirëqeverisjes dhe një vendi pa krim. Sot jemi para jush për të prezantuar platformën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Çdo shqiptar, raportet vendase dhe ndërkombëtare evidentojnë qartë se vota në Shqipëri diktohet nga krimi, nga paratë e pista që vijnë nga aktivitete kriminale si trafiku i drogës apo korrupsioni qeveritar dhe nga presioni shtetëror.
Problematika zgjedhore është evidentuar qartë në raportin e fundit të OSBE/ODIHR:
1. Kandidatët me rekorde kriminale
2. Kandidatët me mbështetje kriminale
3. Përdorimi i parave te krimit në shitblerje votash
4. Përfshirja e policëve të inkriminuar në kërcenim, presion dhe blerje votash,
5. Presioni dhe kërcënimet ndaj votuesve nga persona me rekorde kriminale,
6. Grupe banditësh që diktojnë votën pranë dhe brenda qendrave të votimit,
7. Kërcënimi i administratës, përdorimi i fondeve publike në zgjedhje dhe i favore të pushtetit, etj.
Sot të gjithë bien dakord se kemi nevojë urgjente për një reformë thelbësore për të çliruar zgjedhjet nga Krimi, Shitblerja e votës dhe kapja shtetërore dhe jo thjesht për amendime fasadë.
Gjëja më e rëndësishme në këtë konglomerat që përfaqëson lëmshin që qeveris sot vendin, ndërthurjen e interesave politike, kriminale, oligarkike në bashkëqeverisjen me krimin, pra gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës nga krimi, pa të cilën nuk ka asnjë shans për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, çfarëdo ndryshimesh të miratohen në legjislacionin përkatës.
Sepse politikanët e lidhur me krimin do ta përdorin gjithmonë krimin për të patur pushtet e më pas krimi do ta përdorë më pas pushtetin e tyre për të ruajtur dhe mbrojtur aktivitetin kriminal.
Ngjarjet kriminale të këtyre kohëve kanë patur pothuajse pa asnjë përjashtim një të përbashkët:
Kudo ku ka krime të rënda, ka dhe lidhje të autorëve me zgjedhjet.
Bajrat e Shkodrës, kriminelë të rrezikshëm ndërkombëtarë, u kthyen në punëtorë elektoralë për Partinë Socialiste. Përgjimet e tyre tregojnë se ata flasin më shumë me politikanë se sa me kriminelë, nga Ditmir Bushati e drejtues të tjerë të lartë të kupolës në Tiranë tek politikanët socialistë të Shkodrës.
Është e njëjta gjë në Elbasan ku pushteti i krimit nga Çelajt te Sanxhaktarët me shokë dhe Taulant Ballës e Qazim Sejdinit, janë një dhe të pandarë dhe ku bandat janë kthyer në faktorin më të rëndësishëm zgjedhor.
Saimir Tahiri u lidh me krimin që në opozitë dhe u kthye në nyjën kyçe të lidhjes së botës së krimit me Kupolën Rilindase: më shumë vota Edi Ramës u sollën kriminelët e Tahirit me kërcënimin e dhunës sesa fushata elektorale.
Në Durrës, bandat e Lul Berishës, Plarent Dervishit me shokë qeverisin bashkinë dhe kontrollojnë të gjithë aktivitetin e institucioneve që përfaqësojnë qeverisjen vendore.
Në Vlorë kaluam nga banda e Habilajve që kontrollonte gjysmën e Vlorës tek banda e Xhafës që kontrollon 100% të Vlorës, të tokës dhe të detit.
Në Dibër Ymer Lala.
Në Korçë Rragami.
Në Tiranë, ndonëse në arrest e disa prej tyre në burg, nga Emiljano Shullazi tek Dritan Dajti me shokë, vazhdojnë të diktojnë vendimet politike dhe priten, dhe presin nga qelitë e burgut në audiencë politikanë madje edhe kolegët e tyre të rrjeteve kriminale ndërkombëtare.
Ky është fakt.
Prokuroria mban peng një sërë hetimesh ku vërtetohet se krimi ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat zgjedhore të Partisë Socialiste.