Kryetari i opozitës, Basha ka denoncuar shifrën skandaloze që Rama parashikon në buxhet për zyrën e tij në 2021.”Parashikon 1.6 milionë euro vetëm për zyrën e tij që e ka bërë tre apo katër herë deri tani”, tha Basha.
Kryedemokrati Lulzim Basha ngriti akuza të rënda ndaj qeverisë për çështjen e menaxhimit të pandemisë. Basha i ka shprehur ngushëllimet familjes së Lutfi Çekirit, 53-vjeçarit që humbi jetën pas përplasjes në dyert e spitalit pa gjetur ndihmë por tha se ngjarja e tij nuk është e izoluar.
Kreu i PD-së tha se pacientët me COVID-19 nuk kanë ku të përplasen pasi refuzohen nga sistemi shëndetësor, duke sjellë rastin e babait të një gazetari, i cili kishte pritur 6 ditë me simptoma para se t’i bënin tamponin.
“Unë kam marrë shumë mesazhe. Pacientët e sëmurë me COVID tani nuk kanë ku të përplasen. Sot në mëngjes e vetmja përgjigje për këtë krizë ishte një tjetër paradë e kryeministrit në një pavijon. Informacionet e fundjavës kanë treguar për të sëmurë me COVID që nuk iu është përgjigjur urgjenca dhe kur është përgjigjur i kanë drejtuar në spitale pa asnjë mbrojtje nga COVID. Jam personalisht në dijeni të rasteve me COVID të refuzuar nga sistemi shëndetësor.
Nëse plani ynë me 5 pika do ishte vënë në veprim 4 javë më parë do kishim funksionalë kapacitetet të vërteta dhe do kishim mundësira që mjekësia shqiptare të përballonin dhe fluksin e të sëmurëve të tjerë. Numri i testimeve më i ulëti në Evropë.
Pacientëve u duhet të presin shumë ditë për të bërë tamponin. Babai i një kolegut tuaj ka pritur 6 ditë me simptoma për të bërë tamponin. Kur ka shkuar në spital ka pasur 75 % të pulmoneve të prekur”, deklaroi Basha.
Kreu i PD tha më tej se shumica dërrmuese e qytetarëve nuk mund ta përballojnë koston e paketës së trajtimit me paratë e tyre.