Artistë nga e gjithë Shqipëria kanë mbërritur sot në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, për të marrë pjesë në homazhet e artistit të ndjerë tashmë, të madhit Fadil Hasa.
Homazhe për personalitetin e artit shqiptar zhvilluan sot edhe kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Personalitete të Durrësit, njerëz të artit dhe kulturës, përfaqësues të institucioneve, miq e të afërm, gjithë grupi i artistëve të Durrësit e Shkodrës, etj., të prekur nga ndarja nga jeta e artistit të merituar, marrin pjesë në homazhet e një prej aktorëve të humorit, që bëri të qeshë me vite me radhë breza të tërë shqiptarësh.
Aktori shkodran, Zef Deda është shprehur se, ndarja nga jeta e Fadil Hasës është një humbje e madhe e artit në vendin tonë.
Po ashtu edhe regjizori Haxhi Rama është shprehus se kjo humbje nuk mund të përshkruhet me fjalë. “Buzëqeshja është sot në zi”, tha ai.
Fadil Hasa ndërroi jetë dje në moshën 78-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë, duke lënë pas dy vajzat e tij.