Basha dhe Selami në garë për kreun e PD

Lulzim Basha dhe Eduard Selami do të jenë kandidatët që do të garojnë për t’u zgjedhur kryetar i PD-së në zgjedhjet që do të mbahen më 22 korrik. Kjo është konfirmuar nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka. Mbrëmjen e djeshme në selinë e PD u mblodh kryesia e partisë, e cila shqyrtoi kandidaturat e regjistruara në zgjedhjet për kreun e ri të PD. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së kryesisë, Paloka bëri të ditur se pas shqyrtimit të kandidaturave, kryesia kishte votuar për Lulzim Bashën dhe Eduard Selamin si dy kandidatët në zgjedhjet e 22 korrikut. Ai shprehu bindjen se, procesi do të jetë i ndershëm dhe transparent, ndërsa bëri të ditur se në mbledhjen e djeshme u vendos edhe: “U vendos krijimi i komisionit, i cili do të merret me gjithë procedurën dhe me përgatitjen e të gjitha hapave për procesin e zgjedhjeve për Partinë Demokratike”. Paloka bëri të ditur se gjatë mbledhjes kishte pasur edhe debate në lidhje me analizën që duhet të bëhet mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërsa tha se, një analizë e strukturuar dhe e organizuar do të nisë nga strukturat e me radhë. Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike bëri thirrje për bashkim të demokratëve. Ai tha se në këto momente, Partia Demorkatike ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim dhe jo për përçarje dhe se vetëm në këtë mënyrë PD mund të ringrihet sërish.

-Mungesa e unanimitetit a paralajmëron një përçarje në Partinë Demokratike?
Mungesa e unanimitetit do të thotë demokraci. Po të ishim unanimë do ishte diktaturë.

-Një proces i ngjashëm në 2013 ka pasur unanimitete?
Në 2013 nuk është ndjekur procedura që në fakt u kërkua me këmbëngulje që u realizua këtë herë, sepse në ato ditë të tilla ishin kushtet. Zoti Berisha kishte dhënë dorëheqjen dhe duhet një shpejtësi më e madhe për të reaguar. Nuk është bërë ndonjë debat në kryesi si këtë herë, as për caktimin e datës, as për hapjen e procesit. Megjithatë më mirë që ne i zhvilluam, më mirë që ne i zhvilluam me debat, sepse mendimet ishin të ndryshme dhe sigurisht që do kishte debat. Në fund fare u votua dhe me shumicë u vendos kjo që unë sapo iu thashë.

-Zoti Paloka, ju jeni nënkryetar i Partisë Demokratike, a i druheni përçarjes në PD në vijimësi?
Unë do uroja dhe këtë kam kërkuar gjatë gjithë kohës, edhe në deklaratat që kemi bërë bashkë me zotin Spaho dhe me qëndrimet e sotme, pavarësisht pati momente që humbi qetësia dhe është e kuptueshme, e gjithë përpjekja jo vetëm e imja, por mendoj e të gjithë atyre që e duan Partinë Demokratike bashkohet në një pikë. Duam ringritje të PD-së dhe ringritje me të gjithë bashkë. Nuk e kemi luksin as të përçahemi dhe as të na iki as edhe njëri prej nesh. Unë do uroj që kjo garë në vazhdimësinë e saj të tregojë realisht se është transparente, e ndershme dhe kjo besoj se do të mbyllë shumë nga problematikat që kanë dalë deri tani, dyshimet që janë hedhur etj.
-Pse nuk u pranua Patozi në garë?
Rasti i zotit Patozi ishte i qartë, u diskutua dhe në kryesi. Pati një deklaratë të zotit Patozi. Shprehu dëshirën për të kandiduar, por me një sërë kushtesh. Sot zoti Patozi deklaroi se kushtet nuk u pranuan dhe për këtë arsye dha mendimin e tij për garën, si e sheh ai. Zoti Patozi nuk kandidoi, nuk iu plotësuan kushtet që paraqiti dhe nuk kandidoi. Nuk është çështje burokracie. Iu kërkua edhe për këtë pjesë, për burokraci, sepse pati gjatë ditës për ‘fajin tuaj’ zoti Patozi kandidon, nuk kandidon, unë vet kërkova që të qartësohej kjo pikë dhe nga njerëzit që kishin kontakte me të, iu kërkua që nëse ishte kandidat të vinte të thoshte se është kandidat.
-Shqetësimi kryesor në krye ka qenë analiza e humbjes së PD, a do të bëhet analiza gjatë fushatës apo pas?
Sot u kërkua të futej në rend dite, një pikë tjetër që të përfshinte analizën. Të bëhej analizë brenda një mbledhje kryesie, unë e hodha në votim me qëllim që të mos kishim debate të panevojshme dhe krijim të një situate artificiale, e hodha në votim dhe nuk u pranua. Ishte një votim logjik. Nuk mund të ketë analizë të zgjedhjeve në një ditë në mbledhje kryesie. Kjo sdo të thotë që sdo ketë analizë, përkundrazi, këto kanë qenë zgjedhje që kanë pasur një rezultat aspak të prirur nga ne dhe sigurisht jo të dëshiruar. Sigurisht që do të ketë një analizë, do dalin në analizë të gjitha përgjegjësitë, të zotit Basha, tona e të gjitha. Me siguri që gjatë fushatës së dy kandidatëve do të ngrihen këto çështje, do diskutohen. Analiza do bëhet e strukturuar fillon nga seksionet e me radhë, por me siguri që gjatë fushatës kandidatët do të ngrejnë këto çështje. E pikërisht për këtë janë zgjedhjet, që në fund fare çdo anëtar i PD të japë mendimin e tij edhe për kryetarin e partisë, edhe për zotin Basha, i cili është aktualisht kryetar i PD.
-Zoti Paloka, pse u përjashtuan kandidatët e tjerë?
Nuk u përjashtua njeri, ne i shqyrtuam kandidaturat, duhet të kemi parasysh që midis tyre kishte figura të nderuara, një pjesë ishin thjeshtë anëtarë të PD dhe kuptohet që kur diskutojmë për kryetarin e Partisë Demokratike diskutojmë liderin aktual të opozitës, për kryeministrin e ardhshëm, ndaj dhe duhet që së paku figurat të jenë figura politike me reputacion të njohur nga të gjithë. Gjithmonë janë bërë seleksionime kandidaturash, nuk kanë kandiduar gjithë kandidatët që kanë shprehur dëshirën tuaj.

-Ka zëra që thonë se kjo garë është një farsë…
Sigurisht, që vetëm farsë nuk është. Gjithçka do të bëhet transparente. Komisioni që sapo u ngrit do të merret me procesin zgjedhor. Do të ketë përfaqësues të kandidatëve që do të jenë në çdo hap propozues, ndjekës të rregulloreve. 2013 ka një precedent për fat të mirë, ka disa udhëzime që janë marrë nga komisioni paraardhës, por sigurisht ato do të pasurohen dhe detajohen sipas kërkesave dhe kushteve aktuale.

Exit mobile version