Nga Namir Lapardhaja
Një ditë më parë, agjensia mediatike “Balkan Insight” e rendiste kreun e Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, si një ndër pak liderët e Ballkanit që mori pjesë në inaugurimin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Kjo ngjarje nuk do të kishte ndonjë rëndësi të veçantë, nëse në po të njëjtën ditë ndërsa Basha ishte në Washington, Berisha paraqitej në SPAK, i ndjekur nga një grup i vogël militantësh të PD-së së tij.
Këto dy panorama, më shumë se sa simbolike, në fakt, janë thelbi i dy vizioneve dhe i rrugëtimit që do të kishte marrë PD-ja dhe krejt kauza opozitare, nëse nuk do të kishte rënë pre e betejës së të shkuarës për ta mbajtur peng.
Fatkeqësisht nëse e gjithë media mbulonte paraqitjen e Berishës në Prokurorinë e Posaçme, duke transmetuar të gjithë akuzat e tij pa kurrfarë filtri dhe kriteri, asnjë prej mediave të mëdha nuk evidentoi vizitën dhe takimet e Bashës në Washington, të cilat, edhe pse ndofta modeste, kanë një rol të rëndësishëm përderisa Lulzim Basha është një figurë kyçe e historisë politike në dy dekadat e fundit. Jo vetëm kaq, por, ndërsa në të njëjtën ditë Berisha e akuzonte Bashën për lidhje me “Toyota Yaris” dhe pengmarrje nga Taulant Balla, po e njëjta media injoroi reagimin e Lulzim Bashës për këtë akuzë të rimarë nga Berisha sa herë që ai është në hall dhe sa herë i duhet për të mjegulluar zhvillime si ky i Bashës në Washington.
Gjithsesi, ndryshe nga Berisha, Lulzim Basha ka promovuar gjithmonë një lidhje të ngushtë me Perëndimin, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me SHBA-në dhe BE-në, e mishëruar kjo edhe te mbështetja e pakompromis te puna e SPAK-ut.
Kontrasti mes Berishës dhe Bashës nuk është thjesht përfaqësim i dy individëve, por një pasqyrë e ndarjes së thellë që ka prekur Partinë Demokratike dhe se si kjo parti politike do të ishte nën drejtimin e Bashës vetëm 4 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërsa njëri është përfshirë në luftën e tij personale me drejtësinë, duke e çuar partinë në një rrugë të tensionuar dhe të polarizuar, tjetri ka synuar ta orientojë atë drejt reformave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar si e vetmja rrugë për ta bërë atë konkurruese dhe fituese.