Basha: Do të anulohen koncesionet korruptive me tokat bujqësore

Koncesionet e dhëna për toka bujqësore në zona të ndryshme të vendit do të anulohen dhe toka do t’u jepet me prioritet fermerëve të zonave ku ndodhen këto toka. Kjo është deklaruar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në bashkëbisedim me fermerë të fshatrave Zagorçan dhe Baçallëk.
Fermer: Ne kemi shqetësim sepse qeveria aktuale na ka grabitur tokën.
Basha: Javën e parë ky koncesion dhe dhjetëra koncesione të tilla nga e para tek e fundit, të gjitha këto kontrata do të anulohen. Kjo punë ka marrë fund. Në qoftë se kjo tokë është e lirë prioritet do të kenë fermerët e zonës.
Fermer: S’ka turp ai? Nafta është 800 lekë /litri në Maqedoni, 1500 lekë /litri në Shqipëri. Turp, ai të mbytet. Ç’të rrojë Rama, kot që rron! S’e sheh ai, s’e dëgjon çfarë bëhet.
Fermerët u ankuan se qeveria nuk ka dhënë asnjë subvencion dhe asnjë ndihmë për ta. Madje u ankuan se dhe për të shitur dy arka me qershi u kërkojne NIPT-in.
Fermer: Ne nuk kemi marrë ndonjë ndihmesë nga qeveria.
Basha: Ndihmesë?! Jo lekë që nuk të jep Edi Rama, po ti kokën andej ai të fut dorën të merr edhe atë që ke në xhep.
Basha: Vitin tonë të parë në qeverinë e ardhshme do të ketë 100 milionë dollarë subvencione për 200 mijë familje fermerë në të gjithë Shqipërinë. Që do të thotë se do të shkojë paraja siç bëhet ujitja me pikim ashtu do të vijë subvencioni edhe në çdo familje fermere. Nuk do t’iu kërkojnë as NIPT, as sigurime. Mbajeni mend këto që ua them, se sot ua them si kryetar opozite nesër do të vij të ballafaqohem me ju si Kryeministër me këto që iu them. Paratë ekzistojnë, por në vend që të vijnë tek ju shpërdorohen nga një grusht qeveritarësh në Tiranë.
Fermer: Ato qershitë që i bëra, ai më thotë nxjerr NIPT që t’i shesësh. Ore tri arka qershi kam unë, ç’të nxjerr NIPT unë?!
Basha: NIPT për fermerët s’ka për të patur. Fermeri ka kartën e identitetit si çdo qytetar, ka numrin e identitetit, ai shënohet në arkë, shënohet në faturë, ai shënohet për të marrë subvencionin, ai shënohet për të marrë rimbursimin. E keni ju numrin e identifikimit s’ka nevojë për NIPT.
Subvencionet janë parashikuar edhe për peshkatarët. Sipas përllogaritjeve 2.8 milionë euro është kostoja e buxhetit të shtetit për të subvencionuar bazën materiale, para që sot përfundojnë në një muaj në xhepat e oligarkëve. Shkatërrimi që u bë infrastrukturës së peshkatarëve ishte një tjetër shqetësim i peshkatarëve.
Banor: As gjermani nuk vinte ashtu me snajper, prishën e bënë. Unë kisha një ndërtesë, por nuk morëm as lekë, as asgjë.
Peshkatar: Ju me të ardhur në pushtet duhet të na premtoni, të na e bëni jo vetëm për ne sepse ky nuk është vetëm liqeni jonë është edhe i juaji, i gjithë Shqipërisë.
Basha: Do të ketë një skemë investimi dhe një skemë mbështetjeje. Rrjetat, kombinoshet, grepat do të jenë 100 për qind të rimbursuara nga shteti. Sa i kushton shtetit kjo, se e kemi bërë llogarinë ne? 2.8 milionë euro. 2.8 milionë euro i merr për një javë Koço Kokëdhima me një dorë.
Fermer: Do ta japin votën ty e kanë 100%, se varfëria ka shkuar ku s’mban më. Ishin diku 250 të punësuar në liqenin e Pogradecit. Tani ikën ata, s’janë më.
Zoti Basha u takua dhe me banorët të fshatit Beragozhd, ku pak muaj më parë 30 persona u plagosën nga shpërthimi i një bombole gazi. Ndonëse të paaftë për punë ata sot janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria dhe nuk u është dhe asnjë ndihmë as financiare dhe as në medikamente. Zoti Basha ka premtuar se qeveria e drejtuar prej tij përmes një vendimi të posaçëm qeverie do t’u japë KEMP të lënduarve.
Basha: Çfarë kemi në dorë si opozitë do ta bëjmë. Por po ju them nguliteni në mendjen nuk do t’ju lëmë vetëm. Edhe po s’e dhanë këta, ne do ta bëjmë me vendim të posaçëm qeverie KEMP-in për të gjithë të lënduarit e aksidentit të Beragozhdit.
Një takim të veçantë zoti Basha zhvilloi edhe me të rinjtë e Pogradecit. Garantimi i votës së lirë është deklaruar nga Lulzim Basha si beteja më e rëndësishme e Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. E ka nisur me partinë që drejton duke zgjedhur drejtuesit e Forumit Rinor me votë e do ta vazhdojë edhe në përzgjedhjen e 49 kandidatëve të rinj për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Basha: Përgjegjësia që ju jepet nuk është e lehtë është e vështirë. Veçanërisht me një shoqëri që nuk është e mësuar me votën e lirë. Por ju jeni mësuar me votën e lirë. Me votë të lirë zgjodhët kryetarin e forumit pas një debati primar. Me votë të lirë zgjodhët kryetarin e degës së forumit dhe me votë të lirë jam i sigurt që Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha Shqipërisë do t’i ofroni të rinjtë dhe të rejat më dinjitozë që do të jenë deputetë të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Artikulli paraprakSi po rikthehen piramidat, janë 4 mijë të mashtruar
Artikulli tjetërFarsa zgjedhore për zgjedhjen e kryesisë së Akademisë së Shkencave