Përgatitjeve të kuqezinjve për në finalet e Europianit po u vjen fundi, ndaj trajneri De Biasi dhe futbollistët janë fokusuar totalisht për përballjen e parë me Zvicrën në Lens. Migjen Basha siguron se, atmosfera në Kombëtare është e mrekullueshme, edhe pse lojtarët kanë nisur të ndiejnë stresin e debutim në Europian. “Atmosfera është super, jemi bashkë që nga grumbullimi në Austri, grupi po kalon shumë mirë. Kemi punuar me ritëm të lartë dhe gjithçka ka qenë e veçantë. Tani fillon stresi dhe duhet të kemi kujdes. Kemi zhvilluar mbledhje teknike, kemi parë kundërshtarët tanë. Janë disa gjëra që na ka treguar trajneri, pra se si ta godasim në pikat e dobëta Zvicrën”, u shpreh Basha.
Dhe kur pyetet se cilat janë pikat e dobëta të Zvicrës, Basha e anashkalon përgjigjen, duke theksuar se më parë kuqezinjtë duhet të shmangin gabimet e tyre. “Zvicra ka lojtarë të mirë në çdo repart. S’mund të flasim për problemet e Zvicrës, më parë duhet të shmangim gabimet tona”, tha ai.
Basha si çdo futbollist nga 23 të grumbulluarit e De Biasit shpreson të jetë në fushë ndaj Zvicrës, por shprehet gjithashtu i gatshëm për të kontribuar nga stoli. “Nuk mund të them asgjë për formacionin, mendoj të jem titullar si të gjithë, por vendos trajneri në momentin e fundit. Jam gati të ndihmoj ekipin qoftë edhe nga stoli”, tha Basha.
29-vjeçari është i pari kuqezi që ka luajtur për moshat e Zvicrës, por që më pas zgjodhi të përfaqësojë kombin e tij. Shembullin e Bashës e zgjodhën edhe shumë të tjerë, që sot synojnë ta mposhtin Zvicrën në Europian. “Në momentin që kam luajtur me moshat e Zvicrës kam patur ëndërr të luaj për Shqipërinë. S’duhet të bisedojmë për të kaluarën, unë jam pjesë e Kombëtares dhe kjo ka rëndësi. Kur kam patur probleme me pasaportën s’kam mundur të luaj me Kombëtaren. Kur nisa të luaja unë me Shqipërinë erdhën edhe të tjeret. Është meritë e Federatës, ka bërë punë të mirë”, përfundoi Basha.