Basha: Do të ulim taksat, Rama i dështuar në çdo drejtim

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se programi i tij që ka nisur të prezantohet, do të nxjerrë Shqipërinë nga balta, ku sipas tij, e ka lënë Kryeministri Rama në këto 8 vite. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, kandidati për Kryeministër tha se taksa e sheshtë është e provuar që ka sukses në Shqipëri, ndaj demokratët janë të bindur se duke u lënë më shumë para në duar qytetarëve dhe biznesit, duke ulur taksat, do të nxjerrin vendin nga kriza.

Kreu demokrat thotë se 97% e shqiptarëve në këto 8 vite kanë paguar më shumë taksa, ndërkohë, nga ana tjetër, kanë parë investime në infrastrukturë, kanë mjekësinë më të shtrenjtë etj. Kreu i PD-së siguron se të gjitha angazhimet e prezantuara në programin e tij do t’i realizojë brenda 4 viteve, në të kundërt nuk do të kërkojë mandat tjetër.

“Jo më premtime boshe si ato të Ramës, i cili këto 8 vite ka dështuar në çdo drejtim. Plane serioze pune, nëse nuk i zbatojmë, ne nuk do të kërkojmë mandat tjetër”- tha kryetari i PD-se, për gazetën “Panorama”.

Z. Basha, ju keni prezantuar programin “Shqipëria Fiton Ekonominë”, që parashikon ulje të taksave. Ndërkohë që nëse krahasohemi me vendet e BE-së ku ne aspirojmë të bëhemi pjesë, në Shqipëri nuk ka taksa të larta, por ka kthim të keq të taksave mbrapsht te qytetarët. Çfarë parashikon programi juaj për t’i kthyer taksat te qytetarët?
Prej vitit 2013, 97% e shqiptareve paguajnë më shumë taksa dhe kanë më pak mundësi punësimi, me kujdes shëndetësor më të keq dhe kosto jetese shumë më të shtrenjtë. Është e qartë se taksat e shtuara nga Rama nuk iu janë kthyer njerëzve as në punësim, as në shërbime, as në arsim dhe as në kujdes shëndetësor. Prandaj, unë kam bindjen se është më mirë dhe më produktive që paratë të qëndrojnë në xhepat e qytetarëve dhe të biznesit. Për këtë ne do t’i ulim taksat dhe do të vendosim taksën e sheshtë 9%. Ky nuk është eksperiment, pasi ne kemi një histori pozitive me aplikimin e taksës së sheshtë, ku ne mblodhëm më shumë para, u formalizua më shumë ekonomia, u qarkulluan më shumë para ndër qytetarët e bizneset dhe u mundësuan punë gjigante infrastrukturore dhe moderne, të cilat dukeshin të paarritshme më parë. Pra, në bazë të programit tonë “Shqipëria Fiton Ekonominë” qëndron vullneti politik dhe vizioni i duhur i një qeverie që kujdeset për njerëzit, e cila paratë e taksave nuk do t’i çojë për PPP e koncesione korruptive, por për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Më lejoni t’ju jap një shembull: Gjatë qeverisjes së PD-së, pensionet u rritën me 67%. Gjatë qeverisjes së PS-së, pensionet u rritën vetëm 18%, megjithëse Rama rriti taksat si asnjëherë më parë në historinë tonë. Dhe kjo ndodh kur në vend të një qeverie që kujdeset për qytetarët, ne kemi një qeveri që kujdeset vetëm për vete, një qeveri që shumëfishon pasurinë e saj personale, ndërkohë njerëzit varfërohen. Ne do ta ndryshojmë këtë.

Cili sektor do të jetë prioritet i Partisë Demokratike nëse vjen në qeveri: infrastruktura, bujqësia, turizmi apo cili? Normalisht nëse zhvillohen ato që sapo përmenda, kthehet edhe në mirëqenie për familjet?
Ne kemi sjellë plane serioze pune në të gjitha fushat: ekonomi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë, rininë dhe çështjet sociale. Ne do të ndryshojmë jetët e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe do ta kthejmë Shqipërinë te suksesi dhe zhvillimi. Jo më premtime boshe si ato të Ramës, i cili këto 8 vite ka dështuar në çdo drejtim. Plane serioze pune – nëse nuk i zbatojmë, ne nuk do të kërkojmë mandat tjetër. Të gjitha këto fusha janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën: pa infrastrukturë nuk mund të ketë turizëm, pa mbështetur bujqësinë, po kështu nuk mund të sigurojmë për turizmin prodhimet tona cilësore dhe prodhimet bio që kërkohen më shumë tashmë kudo, e nëse nuk zhvillojmë turizmin, ne nuk mund të kemi zhvillim dhe punësim direkt dhe indirekt për shqiptarët. Prandaj, ne kemi hartuar plane të detajuara pune të zhvillimit ekonomik për çdo sektor, çdo hallkë e tij është e rëndësishme dhe nuk mund të veprojë e veçuar. Por natyrisht pa luftuar korrupsionin dhe pa çliruar dhe hapur ekonominë, nuk mund të pretendojmë një zhvillim të qëndrueshëm. Korrupsioni gllabëron financat e shtetit, ka ndalur zhvillimin, ka nxitur emigrimin dhe të vetmit që kanë përfituar janë një grusht pushtetarësh. Prandaj angazhimi ynë, bashkëpunimi ynë kryesor me partnerët europianë dhe amerikanë do të jetë lufta kundër korrupsionit, e paralelisht lehtësirat fiskale, një politikë e parashikueshme dhe planifikuar në të paktën 4 vite. Përmirësimi i klimës së investimeve, respekti i pronës dhe pronarëve në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të përfitojnë.

Keni marrë angazhimin që t’u vini në ndihmë bizneseve duke ulur taksat, familjeve të reja duke u paguar përqindjen e kredisë për shtëpi, pagesë 3 mijë lekë në muaj për të porsalindurit etj. Sa është afati kohor që do t’ju duhet për të vënë në zbatim secilin angazhim?
Çdo angazhim imi ka një afat kohor dhe një faturë të bashkangjitur. Qytetarët shqiptarë do të informohen çdo vit se çfarë iu ofrohet. Unë kam harxhuar shumë muaj punë me ekspertët më të mirë të vendit dhe jashtë për këtë plan, ai është realist, i detajuar dhe gjithëpërfshirës. Shqiptarët janë lodhur nga premtimet boshe, ndërsa tavolinat e tyre vetëm sa boshatisen vit pas viti. Ditën e parë si Kryeministër, unë do të jem përgjegjës për realizimin e secilit prej planeve tona të punës. Ne nisje të çdo viti, sipas planifikimit, do të jepen masat përkatëse. Pas 4 vitesh ne do të përmbushim të gjitha planet tona dhe siç e kam thënë, nëse nuk i realizojmë, ne do të largohemi, nuk do të kandidojmë më. Për këtë qëllim dhe për t’iu shërbyer sa më mirë njerëzve, unë gjithashtu kam propozuar kufizimin e mandatit të Kryeministrit në dy mandate.

Z. Basha, Partia Demokratike është krijuar si një parti kundër padrejtësive politike. Deri më tani në programin e PD nuk ka angazhime për të përndjekurit politikë, për ish-pronarët. Çfarë parashikon programi juaj për këtë kategori?
Më vjen mirë që ka padurim të njerëzve që duan ndryshimin, duan të shohin përmes planeve tona. Ne e kemi edhe këtë plan gati dhe do ta prezantojmë së shpejti. Në bazë të planit tonë qëndron vetëdija se PD-ja ka detyrimin e pashlyer t’i japë zgjidhjen përfundimtare problemit të pronarëve dhe unë jam personalisht i angazhuar për ta bërë atë realitet. Sa u përket ish-të përndjekurve, ata do të kenë në Parlament dhe në qeverinë e ardhshme përfaqësimin më dinjitoz të këtyre 30 viteve dhe një plan konkret për adresimin e kërkesave të drejta të tyre, që deri më sot s’kanë gjetur zgjidhje. Edhe për këtë plan ne kemi punuar për një kohë të gjatë dhe prezantimi i tij do të vijojë së shpejti, prandaj ju lutem për mirëkuptimin tuaj për detajet.

Partia Demokratike ka edhe një borxh tjetër: legalizimin e ndërtimeve të pas 1990-ës. A keni ndonjë plan për këtë?
Ne kemi vullnet të plotë për të avancuar me zgjidhjen përfundimtare të legalizimeve para dhe pas ’90-ës. Ne do të trajtojmë me prioritet rast pas rasti për t’i legalizuar dhe për të zgjidhur konfliktet mes pronarëve dhe qytetarëve që jetojnë në këto prona. Ju e dini që është një proces kompleks, por që me vullnet dhe angazhim maksimal nga qeveria ime do ta përmbyll brenda mandatit të parë 4-vjeçar.

Ndoshta edhe për shkak të pandemisë, por vërehet një qasje tjetër juaja në raport me rrjetet sociale. Marrëdhënia juaj me “Facebook”-un, “Instagram”-in kohët e fundit është komentuar në studio televizive edhe si një sfidë e juaja ndaj Kryeministrit Rama edhe në këtë aspekt. A druheni se Rama do t’jua kthejë sfidën me një program angazhimesh?

Është e vërtetë që pandemia na ka ndryshuar jetën të gjithëve. Tani që Aurela kalon më shumë kohë në shtëpi dhe gatuan vetë, i ndan këto çaste familjare në rrjet. Dhe kështu ka zbuluar këtë hobi timin në kuzhinë. Unë kam ikur që i ri jashtë me studime dhe nga jeta kam mësuar të gatuaj ndër vite, aq sa tani, kur gjej kohë, kur kthehem nga puna edhe vonë, jo vetëm që nuk lodhem, por relaksohem kur përgatis diçka të shpejte për darkë.

z. Basha, në politikën shqiptare nuk mungojnë akuzat edhe për familjarët e politikanëve. A ju kompleksojnë juve akuzat e maxhorancës për marrëdhëniet me familjarët?
Fatkeqësisht, familja ime ka qenë në qendër të sulmeve që nga dita e parë e angazhimit tim politik. Dhe kjo gjithnjë është intensifikuar ne prag të zgjedhjeve. Familja ime, bashkëshortja, vajzat, prindërit e mi, janë forca ime, mbështetja ime dhe unë për ta jam shumë krenar. Rama dhe njerëzit e tij po më sulmojmë mua dhe familjen time personalisht, sepse ata nuk kanë asgjë për të thënë për planet serioze të punës që kam prezantuar. Ata nuk kanë asnjë përgjigje për dështimet e tyre për 8 vite. Ata nuk kanë asnjë shpjegim për arsyen se përse Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite, ndërsa vendet e tjera ia kanë dalë të rriten dhe zhvillohen. Kjo është arsyeja përse po më sulmojnë mua. Por asgjë nuk më step apo tërheq mua nga vendosmëria për t’i dhënë shpresë dhe mundësi këtij vendi dhe rinisë në veçanti.

Në kuadër të ironisë që kundërshtari juaj politik përdor që nga koha kur ishit kryetar i Bashkisë së Tiranës “fle gjumë”, në këtë fushatë maxhoranca jua njeh si vonesë dhe dobësi caktimin e drejtuesve politikë, por edhe të kandidatëve. Për të sqaruar jo vetëm kundërshtarët, është strategji e juaja kjo, apo e keni të vështirë t’u servirni shqiptarëve ekipin?
Sipas tyre, ai që ndërtoi Rrugën e Kombit fle. Ai që siguroi financimin e tunelit te Elbasanit, ai që punoi për anëtarësimin në NATO, ai që liberalizoi vizat për shqiptarët – fle. Ai që siguroi financimin dhe nisi ndërtimin e bulevardit te ri të Tiranës – fle. Ai që bëri rehabilitimin e lumit të Tiranës, projektin e Pazarit të Ri – fle. Ai që ndaloi ndërtimet e kullave në Tiranë dhe shtoi sipërfaqet e gjelbra – fle. Për Ramën dhe njerëzit e tij vlen vetëm puna për interesa personale, sepse ata punojnë vetëm për vete. Unë e di që njerëzit e kanë kuptuar fare mirë ndryshimin mes nesh. Po unë jam ndryshe dhe krenar për çdo objektiv dhe detyrë që kam përmbushur, të cilat jua kanë përmirësuar jetën shqiptarëve. Edhe për kandidatët tanë ata gënjejnë. Ne kemi përmbyllur një proces të paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe të rajonit në përzgjedhjen e tyre. Ata janë produkt i një konsultimi të gjerë, për t’u dhënë qytetarëve njerëz me dinjitet për t’i përfaqësuar. Caktimit i drejtuesve tanë politikë u bë në kohën e duhur dhe pasoi përfundimin e punës së koordinatorëve tanë në të gjitha qytetet e vendit.

A e ka arritur deri më tani Edi Rama qëllimin se përse ndryshoi pa konsensus Kodin Zgjedhor? Ka aleatë të pakënaqur?
Rama ka frikë nga humbja dhe shpresoi më kot që ndryshimi i Kodit Zgjedhor do t’i lehtësojë pasojat për të. Por është e kotë: ndryshimin nuk e ndal dot askush. Shqipëria nuk do të mbetet peng i interesave të Ramës. Me aleatët e koalicionit tonë ne kemi një bashkëpunim të fortë dhe të shkëlqyeshëm dhe jemi të gjithë të vendosur për të larguar të keqen dhe për t’iu kthyer shpresën shqiptarëve. Rama e ka mbajtur Shqipërinë në vendnumëro me dështimet e tij në çdo fushë për 8 vite rresht. Por asnjë hile dhe asgjë nuk i bën më derman, sepse të gjithë e kanë kuptuar se tashmë Shqipëria nuk mund të ketë sukses me Ramën. Unë shoh entuziazëm mes njerëzve. Unë i takoj ata përditë. Ata duan ndryshim. Ata duan shpresë. Ata duan të shpëtojnë nga Rama dhe të kenë një qeveri që kujdeset për ta. Prandaj, ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Në 25 prill Rama do të humbasë dhe Shqipëria do të fitojë.

A është drejtësia e re e besuar? Çfarë do të bëni ju për të pasur një drejtësi të pavarur dhe të besuar?
Besimi fitohet nga vendimet dhe veprimet e saj. Në një vend kaq të korruptuar, ku qeveritarët bashkëpunojnë, blejnë vota e bëjnë biznes me kriminelët, kërkohen dhe duhen rezultate konkrete. Natyrisht, drejtësia duhet të fitojë besimin e qytetarëve dhe jo të politikanëve. Pas 25 prillit edhe drejtësia do t’i ketë duart e lira për të vepruar ndaj kujtdo që shkel ligjin.

Exit mobile version