Basha e Selami nisin garën në degët e PD

Dy kandidatët për postin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduart Selami nisin garën elektorale duke u takuar me bazën demokrate për të kërkuar mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 22 korrikut. Nga sot, ata do të nisin takimet në çdo qark të vendit duke diskutuar me bazën demokrate mbi vizionin dhe projektin e tyre për drejtimin e Partisë Demokratike në katër vitet që vijnë.
Ndërkohë organizmat e PD kanë marrë të gjitha masat për një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të Partisë Demokratike. Por si do të funksionojë procesi?
Tashmë janë miratuar modalitetet se si do të bëhet fushata mes Bashës dhe Selamit deri më 22 korrik, ditë kur do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të PD. Në përbërje të Komisionit janë edhe dy anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët, Arben Ibro i caktuar nga Lulzim Basha dhe Riza Gjura nga Eduart Selami. Mbledhja e parë miratoi udhëzimin, i cili përcakton procedurat e filimit të procesit. Me këtë udhëzim, Komisioni ka vendosur që kryesitë e degëve të PD në rrethe janë përgjegjëse për organizimin e votimit që do të zhvillohet më 22 korrik. Çdo degë ka një qendër votimi. Ambientet ku do të kryhet votimi do të miratohen nga ky komision, sipas propozimeve që do të vijnë nga degët, jo më vonë se 12 korriku. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat.
Statuti i PDSH dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë.
Që nga data 28.06.2017 në PDSH nuk ka patur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja derisa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj.
Listat e anëtarësisë administrohen sipas Statutit dhe rregullave të përmendura më sipër. Çdo degë e PDSH ku do të votohet për Kryetarin e PDSH do të marrë në avancë në përputhje me vendimin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale kopje të listës së anëtarësisë të degës së saj, të cilën ajo e disponon edhe në degë. Listat e votimit sipas përcaktimeve në Statut do të administrohen nga Komisioni i Votimit, i cili kryesohet nga kryetari ose sekretari i degës dhe anëtarë të tjerë që i zgjedh Kryesia e Degës. Çdo kandidat do të ketë vëzhgues në çdo komision votimi.
Çdo degë e PDSH administron databazën e anëtarësisë së saj. Çdo ndryshim në databazën në qendër bëhet vetëm me kërkesën zyrtare të degës shoqëruar me dokumentacionin e plotë të anëtarit që shtohet apo largohet.

Artikulli paraprakSkandali, energjia po blihet 19 euro më shumë për 1 megavat
Artikulli tjetërAgron Shehaj: Demaskim mashtrimeve të Ramës