Kryetari i PD, Lulzim Basha tha dje se nëse akuzat e publikuara në mediat italiane mbi futjen e 1300 tonë mbetjesh toksike në Shqipëri në mënyrë të jashtëligjshme janë të vërteta atëherë kjo do të jetë një nga aferat më të rënda jo vetëm në Ballkan, por edhe Europë, ndërsa tha se nëse faktohen akuzat e ngritura ky krim s’mund të kalojë pa u ndëshkuar. Basha e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me sipërmarrës. “Qëndrimi ynë për ligjin e mbetjeve ka qenë dhe mbetet i qartë. Ka një ndryshim qëndrimi i PD dhe një reflektim të thellë sa i përket prioriteteve të zhvillimit dhe situatës aktuale të mbetjeve. Situata aktuale është e tillë që vendi nuk përfiton nga sjellja e mbetjeve të tjera, por përfiton nga mbështetja e industrisë së përpunimit të mbetjeve edhe me mbështetje buxhetore për të përpunuar afro 83% të mbetjeve që mbeten rrugëve, shesheve, fushave, lumenjve të Shqipërisë. Para se të marrim mbetje të tjera të orientohemi këtu. Unë mendoj dhe ekipi im e mbështet këtë, dy prioritetet kryesore të vendit zhvillimi i turizmit dhe bujqësisë janë në konflikt interesi me fuqizimin e industrisë së mbetjeve dhe për këtë arsye ne shikojmë një rol të kufizuar të industrisë së ricikluar në Shqipëri, të kufizuar sa i përket mbetjeve të vendit që mbeten një problem shqetësues dhe së treti, problemi i madh që ka shpërthyer tashmë dhe unë ua kam thënë edhe kur u takuam rastësisht në një aeroport: Ju thashë po ju përdorin. Dhe po del haptazi. Faktet që po dalin janë tronditëse sepse me fytyrën tuaj, me interesat tuaja plotësisht legjitime në Shqipëri mund të jetë kryer afera më e madhe e mbetjeve toksike, afera më e madhe e mbetjeve toksike në Ballkan dhe Europë. Guardia di Finanza dhe Antimafia kanë hapur hetime për këtë çështje. Uroj t’i ketë hapur dhe Prokuroria shqiptare. Nëse është e vërtetë që mbi 1300 konteinerë me mbetje të rrezikshme strehohen në këtë moment që flas në territorin shqiptar pa dijeninë e shqiptarëve, së pari, është një rrezik ndaj çdo shqiptari dhe fëmijëve të tyre dhe së dyti, ky është një krim i rëndë që nuk mund të shkojë pa u ndëshkuar. Në qoftë se Shqipërisë i hapen portat edhe ligjërisht, se kjo mesa duket ka ndodhur edhe jashtë ligjit, një vend që nuk kontrollon dot kufijtë kur vjen puna tek droga absolutisht e ka të pamundur t’i bëjë ballë presionit të tmerrshëm të mafias së dytë më të fuqishme në planet që është mafia ndërkombëtare e mbetjeve. Ky ka qenë qëndrimi im, nuk ka pas të bëjë as me mosbesimin ndaj jush, as mospërkrahjen e kauzës tuaj, ka pasur të bëjë me një reflektim të thellë për gjendjen ku ndodhet Shqipëria. Ky reflektim është i përmasave finale, jeni ju ata që do e gjykoni. Nesër ju e keni mundësinë të votoni apo jo për programin tonë, por ua them paraprakisht sot që ky është pozicioni ynë dhe programi ynë. Importi i mbetjeve në Shqipëri duhet ndaluar të paktën për 20 vitet e ardhshme. Gjitha energjitë dhe kapitalet të orientohet drejt prioriteteve ekonomike, prodhimit, bujqësisë, energjisë, logjistikës, të gjithë atyre fushave ku ne mund të konkurrojmë. Mbase e kam gabim, por nuk mund të them se mund të konkurrojmë me grurë dhe hekur, por kemi shumë fusha ku mund të konkurrojmë”, u shpreh Basha.