Kryetari i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje mbrëmë faktorit ndërkombëtar të ndërhyjë në Shqipëri për të mundësuar krijimin e një qeverie teknike, që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deklaratat Basha i bëri pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme, Federica Mogerini, të cilën e njohu me kauzën e ngritur nga opozita e që sot mbështetet nga mijëra shqiptarë. “Pata rastin ta njoh me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për gjendjen e rëndë që po kalon vendi, për paratë e drogës, i moszbatimin të ligjit të dekriminalizimit, i nxjerrjes së bandave dhe kriminelëve nga burgu me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike të niveleve të larta, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme më 2014 në Korçë, 2015 anembanë vendit, më 2016 në Dibër, i dështimit për t’i dhënë vendit reformë zgjedhore si plotësimi i të gjitha kushteve për të hapur rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike, një qeveri të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme duke zbatuar deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke ndërmarrë një aksion energjik dhe efektiv kundër narkokultivimit, narkotrafikimit dhe parave të pista të drogës, të cilat sipas tashmë të gjithë mediave botërore kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe duke krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Padyshim duke i hapur kështu rrugë edhe zbatimit të reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut për të cilën Partia Demokratike dhe opozita kanë dhënë dhe janë krenarë për kontributin e tyre”, tha kreu i PD.
Basha tha se, kauzën e opozitës e mbështesin gjithë ata që duan shqiptarët, ndërsa shprehu shqetësimin se vendi sot është shndërruar në një “pacient me kancer”, i cili ka nevojë për ndërhyrje të thellë. “Zonja Mogherini do të shprehet vetë, por mund t’ju them se kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata, të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë, ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion të vështirë, e kuptojnë se me krimin në pushtet dhe me problemin e jashtëzakonshëm të drogës, nuk është një pacient me kollë që mund të shërohet me shurup, por është një pacient me kancer që ka nevojë për një operacion të thellë. Ftesa ime është që faktorët e përgjegjshëm politikë të bashkohen në një pakt kombëtar për ta kryer këtë operacion përmes një qeverie teknike që do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është në të njëjtën kohë edhe e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë dhe në sundimin e krimit të organizuar për një kohë të gjatë duke dëmtuar palcërisht interesin kombëtar dhe jetët e të gjithë shqiptarëve në vendin tonë”, u shpreh Basha.
I pyetur në lidhje me seancën që ka thirrur Rama të hënën në Parlament për ngritjen e komisioneve të vettingut, Basha tha se: “Nuk ka dhe nuk ka për të patur Parlament tjetër përveç sheshit të lirisë deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Menjëherë, pas takimit me Mogerinin, Basha iu drejtua dhe protestuesve në çadër ku shprehu vendosmërinë për të vijuar protestën deri në arritjen e qëllimit, krijimit të një qeverie teknike që do organizojë zgjedhjet.
“Shqiptarët e kanë të qartë. Rruga për në Europë kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe luftës pa kompromis me krimin e veshur me pushtet. Ndarjes së narkotrafikut dhe parasë së madhe që kërcënojnë votën e lirë. Është e domosdoshme e panegociueshme qeveria teknike që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dy javë janë një kohë mëse e mjaftueshme për çdo politikan të përgjegjshëm për të dëgjuar zërin e qytetarëve. Ne jemi këtu si lëvizje popullore qytetare demokratike për të thënë se, kjo betejë nuk mbaron pa largimin e qeverisë së lidhur me krimin pa hedhur themelet e republikës së re. Koha për ndryshim është tani”.