Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Cërrik. Zoti Basha u ndal në fjalën e tij në shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge gjatë këtij viti, një realitet, i cili ka pushtuar faqet e para të mediave ndërkombëtare. Lidhjet e qeverisë me krimin dhe mbrojtja që Edi Rama dhe Saimir Tahiri u japin trafikantëve, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, kanë shndërruar mijëra qytetarë që rropaten për një copë buke në argatë-skllevër në parcelat e hashashit. Droga është kthyer në një kërcënim serioz për të rinjtë dhe statistikat tregojnë rritje të përdorimit të drogës. Vendin e intelektualëve e kanë zënë trafikantët, tha zotit Basha, i cili apeloi për krijimin e një aleance të madhe qytetare kundër drogës e krimit në pushtet.
“E zeza që kemi përballë shkon përtej përballjes tradicionale mes të djathtës dhe të majtës. Përballë kemi krimin, korrupsionin, arrogancën e paimagjinueshme që prej kohës së diktaturës, që jo vetëm të vjedh e të poshtëron, por pastaj edhe të tall dhe të përqesh.
Çdo qenie njerëzore me dinjitet minimal nuk e pranon këtë. Ndaj bëjmë thirrje dhe kërkojmë të formojmë një front të bashkuar me Partinë Demokratike. Nëse na bashkon dekriminalizimi, lufta kundër drogës, vota e lirë, nuk duhet të kemi asnjë ngurrim të bashkëpunojmë me këdo, për t’u përballur dhe fituar kundër dikujt që bashkëpunon me të gjithë përveç qytetarëve, bashkëpunon me krimin, bashkëpunon me horrat, bashkëpunon me trafikantët, bashkëpunon me narkotrafikantët, bashkëpunon me banditët.
Ndaj është koha e një bashkimi të madh, e një aleance të madhe qytetare. Partia Demokratike është gati dhe nëse nisim marshimin tonë pa kthim për përmbysjen e tiranisë së krimit dhe varfërisë dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal ku qeveria iu shërben njerëzve dhe jo anasjelltas”.
Keqqeverisja, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit, theksoi zoti Basha, po shkatërrojnë ëndrrën e mijëra maturantëve, të cilët pas vitesh të tëra mundi e përpjekjeje për të arritur rezultate të shkëlqyera e shohin sot veten pa mundësi për të vijuar arsimin e lartë. Mijëra të tjerë që i besuan Edi Ramës tri vite më parë se nuk do të sillte plehrat në Shqipëri sot ndihen të tradhtuar. Ndërsa e ashtuquajtura rilindje urbane tregoi se ishte një projekt për të mbushur xhepat e qeveritarëve. Asnjë investim serioz në tre vjet që të përmirësojë jetën e qytetarëve nuk është kryer nga kjo qeveri, e cila sot tallet me fermerët duke u thënë merrni kredi sepse subvencionet e premtuara ishin një mashtrim.
“Droga, krimi, korrupsioni ka një nyje që i mban bashkë dhe ky është Edi Rama. Ky është Edi Rama që merr çarterin për në Hamburg 100 mijë euro, sa katër muaj ndihmë sociale në Cërrik. Ky është Edi Rama, i cili tha se nuk do të sjellë mbetjet se janë helme. Tani që ja ka ngrohur xhepin mafia ndërkombëtare e plehrave merr vendime kundër popullit, helme për të helmuar shqiptarët dhe fëmijët e tyre.
Ky është Edi Rama, i cili po tallet me maturantët. I ka sjellë këtu me vendimet e tij korruptive dhe pa transparencë që nuk ka guximin t’i kthejë mbrapsht. Një brezi të tërë, 20 mijë të rinj shqiptarë do t’ua djegë ëndrrën.
Ky është Edi Rama me rilindjen urbane siç u pa në Kurbin. Kanalizime, ujësjellës, rrugët nuk bëhen, por mbulohen me një fasadë, me 10 m² pllaka dhe sa kalon nga pllakat fillojnë gropat sikur je në mesjetë”.