Basha i dorëzon zyrtares së lartë të Departamentit të Shtetit “Dosjen e zezë” të krimit në qeveri

Kryetari i PD, Lulzim Basha priti sot në një takim Krye Zv. Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Znj. Elisabeth Millard, të cilën e njohu me përkeqësimin e të gjitha standarteve të demokracisë dhe kapjen e shtetit nga krimi i organizuar në Shqipëri.
Lidhjet e politikës me krimin janë kthyer në shqetesimin kryesor në vend sepse sot kriminelë dhe banda të rrezikshme kontrollojnë qeverisjen dhe përfitojnë shumicën e parave dhe aseteve publike.
Lideri i opozitës vuri në dukje se, ndonese ligji i dekriminalizimit, që u realizua falë këmbënguljes dhe vendosmërisë së PD, nxori jashte institucioneve 333 persona me rekorde kriminale, sot lidhja krim-politike ka gjetur forma te tjera për të qenë në krye të institucioneve vendimarrëse nga Kuvendi dhe Qeveria, në bashki, polici e kudo.
Falë lidhjeve dhe bashkëpunimit të kryepushtetarëve me eksponentë të krimit të organizuar, territori dhe ekonomia e vendit kontrollohen nga bandat, që kanë siguruar paprekshmërinë e tyre për shkak të lidhjeve me pushtetin.
Kreu i opozitës e njohu Krye Zv. Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Elisabeth Millard, me nismën e opozitës për vettingun e politikës, për pastrimin e Parlamentit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore nga politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Basha nënvizoi se ky është një proces pastrimi, që nuk pengon hetimet e drejtësisë për politikanët dhe zyrtarët e lartë. “Në një vend ku krimi dikton vendimarrjen – theksoi zoti Basha – nuk mund të flitet për institucione të pavarura dhe standarde demokratike”.
Kreu i opozitës shprehu vendosmerinë për t’i shkuar deri në fund pastrimit të politikës nga krimi duke kërkuar ndihmën dhe mbështetjen edhe të SHBA në këtë proces jetik per vendin dhe të ardhmen e vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe ndau me zyrtaren e lartë amerikane vlerësimin e tij se roli dhe vëmendja e SHBA ndaj zhvillimeve në rajon është e një rëndësie përcaktuese për të ardhmen euro-atlantike dhe europiane të Ballkanit Perëndimor.

Artikulli paraprakBasha me ministrin e Jashtëm gjerman për kapjen e shtetit nga krimi, paralajmërimi për Ramën
Artikulli tjetërDy nipat e ish-deputetit të PS dënohen me 8 vite burg