Kreu i PD, Lulzim Basha, i ndal edhe në rëndësinë që kanë institucionet e drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
“Fundi i pandëshkueshmërisë është dita e parë e Shqipërisë Europiane. Ndaj, zotimi kryesor që mund të kemi si demokratë, si njerëz që jemi përkushtuar prej ditës së parë për t’u shkëputur njëherë e mirë politikisht, mendërisht, kulturalisht, ekonomikisht nga komunizmi dhe nga enverizmi, duhet të jetë barazia para ligjit.” – tha Basha.
Basha u ndal edhe në sulmet dhe pakënaqësinë që ka Edi Rama me BKH dhe SPAK-un, të cilat kanë shqetësuar jo pak qeverinë.
Më poshtë pjesë nga fjala e kryetarit Basha:
Ata që duan të vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë në pasiguri, ata që duan të vazhdojnë të ujisin fidanët e shtatoreve të reja, ata që duan që pandëshkueshmëria të vazhdojë, mungesa e llogarisë të vazhdojë, mungesa e përgjegjësisë para shqiptarëve të vazhdojë dhe të justifikohet akoma me gërmadhat e të shkuarës, do na thonë, siç po na thonë se reforma në drejtësi nuk është perfekte, se s’mund t’i zihet besë, madje siç e dëgjuam dje besoj të gjithë jeni çuditur nga vet kryeministri i vendit, që BKH-ja nuk po sillet mirë me organet e qeverisë. Pra, Byroja Kombëtare e Hetimit e krijuar për të hetuar korrupsionin qeveritar, e trajnuar nga Byroja Federale e Hetimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e financuar nga aleatët tanë, nuk po sillet mirë me qeveritarët, ky është shqetësimi i kryeministrit. Shqetësimi ynë është tjetër, shqetësimi ynë është që SPAK-u, BKH-ja, GJKKO-ja të bëjnë punënpër të cilën janë mandatuar, financuar, trajnuar dhe përkrahur dhe t’i shkojnë kësaj pune deri në fund. Fundi i pandëshkueshmërisë është dita e parë e Shqipërisë Europiane. Ndaj, zotimi kryesor që mund të kemi si demokratë, si njerëz që jemi përkushtuar prej ditës së parë për t’u shkëputur njëherë e mirë politikisht, mendërisht, kulturalisht, ekonomikisht nga komunizmi dhe nga enverizmi, duhet të jetë barazia para ligjit. Pa fundin e pandëshkueshmërisë, nuk mund të ketë barazi para ligjit. Dhe barazia para ligjit është minimum për t’u future në familjen europiane, zotim të cilin kjo parti lindi dhe vazhdon të ekzistojë edhe sot 33 vite më pas.