Basha i përgjigjet pyetjes se kush e informoi për 3.5 milionë eurot në Toyota Yaris

-Peka: Z.Basha. E spostuat opozitën Shkodër për të marrë informacion pa filtër siç u shprehët, apo edhe për t’i dhënë zemër qytetarëve mbi situatën në të cilën ndodhet Shkodra?
Basha: Të dyja pa dyshim.
-Peka: Nga disa media u raportua se nuk kishte qytetarë që të pritën, apo të takuan përveç grupit opozitar.
Basha: Si nuk kishte qytetarë?
-Peka: As në sallë dhe as në rrugë. Nga e morët informacionin?
Basha: Në sallë kishte një mbledhje të grupit të opozitës, natyrisht që në Shkodër në takuam edhe qytetarë edhe përfaqësues politikë, këto janë marrëzi. Nuk e di ku e keni parë apo e keni lexuar, por janë marrëzirat e freskoreve të qeverisë. Gjendja në Shkodër është shumë e rëndë. Aty duhej të ishte kryeministri. Kryeministri kishte zgjedhur të fshihej pas Taulant Ballës dhe Fatmir Xhafës, sepse siç e thash sot kryeministrin e kemi vetëm në letër. Kryeministër janë Bajrët, janë bandat, kryeministër në Shqipëri janë krimi i organizuar. Dhe Shqipëria nuk e përballon dot këtë gjendje. Kjo gjendje duhet të marrë fund një orë e më parë.
-Peka: Z. Basha, situata është e tillë, dakord. Ka një konstatim që një pjesë e mirë e opinionit publik ose i analistëve kryesorë e marrin të mirëqenë pretendimin e opozitës. Megjithatë dje gazetari Andi Bushati…

Basha: Jo, jo, them që nuk është pretendim i opozitës por janë fakte dhe realitete sepse opozita e ka denoncuar prej pesë vitesh. Mund të na akuzosh se kemi qenë të parakohshëm, por s’mund të na akuzosh se s’kemi thënë të vërtetën prej ditës së parë. Dhe s’kemi paralajmëruar se Shqipëria po rrëshqiste drejt gjendjes ku është sot dhe do të rrëshqasë edhe më keq nëse ne nuk ngrihemi t’i vëmë fre’ bashkëqeverisjes me krimin dhe të ndajmë qeverisjen nga krimi.
-Peka: Z.Basha, dje gazetari Andi Bushati menjëherë pas takimit në Shkodër kishte një analizë ku thoshte ‘konstatimet e opozitës janë korrekte, por hapi i ndërmarrë prej saj është gjysmak. Është një hap sa për të përfituar lajmin e ditës, gjë që e fitoi sipas tij, por në rast se situata është e tillë dhe kjo opozitë vazhdon dhe merr pjesë në parlament dhe ka një pjesëmarrje të kushtëzuar, hapi është gjysmak’. Ka një pjesë analistësh të cilët prej kohësh ju thërrasin të dilni jashtë sistemit, për aq kohë sa Edi Rama qeveris me bandat, çfarë e pengon këtë opozitë t’i prishë sistemin Edi Ramës?
Basha: E para e punës, të dalësh jashtë sistemit, të prishësh sistemin janë shprehje të gazetarëve që nuk bredhin në terren, nuk shohin gjendjen nga afër, unë i ftoj të shohin gjendjen nga afër dhe pastaj i ftoj ata dhe çdo faktor tjetër shoqëror të bëhen pjesë e hartimit të zgjidhjes dhe zbatimit të zgjidhjes. Po të ishte zgjidhja me një të rënë të lapsit, apo me një shkrim, apo me një editorial të jesh i sigurt që nuk ka faktor më të interesuar se sa opozita, se sa opozita, se sa kryetari i opozitës. Asnjë gazetar nuk mund të jetë më i interesuar se unë, për t’i dhënë fund në rrugën më të shkurtër kësaj gjendje. Por, për fat të keq e vërteta është e hidhur dhe pak ndryshe.

Nuk ka një përgjigje të thjeshtë dhe të prerë. Sfidat nëpër të cilat duhet të kalojë shoqëria, betejat që na presin përpara janë të shumta dhe të vështira. Beteja që nisën për dekriminalizimin ishte një betejë e vështirë. Për gjashtë muaj opozita u angazhua në një bojkot parlamentar derisa më në fund pati në vëmendjen e duhur ndërkombëtare e cila çoi drejt marrëveshjes dhe prapë u desh një vit tjetër që marrëveshja të përkthehej në ligj dhe gjashtë muaj të tjerë që ligji të zbatohej. Falë këtij ligji shumë persona me rekorde penale që ishin në legjislaturën e kaluar, nuk janë në këtë legjislaturë në Kuvendin e Shqipërisë, por fitorja nuk është në anën e shoqërisë, nuk është në anën e së mirës. Përse? Sepse njeriu që bashkëqeveris me krimin, ka zëvendësuar personat me rekordet penale në Kuvend me dy marrëdhënie të reja me krimin. Me të dërguarit e krimit, siç është Jurges Çyrbja që është i emëruari i Bandës së Lul Berishës në Kuvendin e Shqipërisë, siç kemi atë numrin 6 që as emir nuk i dihet, që është i emëruari i Bandës së Avdylëve të Shijakut, në liditën e Durrësit. Po marr Durrësin si shembull, por në çdo listë nga Shkodra deri në Vlorë, ka deputetë në çdo listë fituese të PS-së qark për qark ka deputetë të cilët nuk përfaqësojnë as militantët, as anëtarët, as simpatizantët e PS-së, por bandat e krimit të organizuar me të cilët Edi Rama ka lidhur pakt. Dhe lidhja e dytë është ajo e promovimit në detyrë dhe në poste kyçe të shtetit dhe qeverisë të personave që po kështu mbrojnë dhe përfaqësojnë interesa kriminale. Siç është Fatmir Xhafa, i cili jo thjesht dhe vetëm për marrëdhënien që ka me të vëllain e dënuar për drogë dhe subjekt i Ligjit Antimafia që e bën edhe vetë Fatmir Xhafën subjekt të Ligjit Antimafia, por edhe për një sërë hapash të tjerë që ka hedhur edhe si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në raport me sektorë kyç, siç është ai i ‘Lojërave të Fatit’, dëshmohet siç e kemi dëshmuar me fakte dhe prova se i shërben interesave të krimit të organizuar, pra është në konflikt interesi edhe në detyrën e deputetit, imagjinoni më, me detyrën e Ministrit të Brendshëm. Apo Taulant Balla i Toyota Yaris i cili është rasti më flagrant, në kufijtë e groteskut, nuk e ka për gjë të pohojë publikisht dhe para mediave që ai ka një miqësi personale. Çfarë e lidh Taulant Ballën me Edmond Begon, anëtarin e Bandës së Lushnjes…

-Peka: Jeni në intervistën e parë pas ‘Toyota Yaris’ së famshme. Z. Basha, e paralajmëruat dy ditë përpara se ajo të kapej, në Kuvendin e Shqipërisë. Jeni akuzuar se keni dekonspiruar operacionin.
Basha: Mashtrim!
-Peka: Nga e morët informacionin?
Basha: S’kam ndërmend ta ndaj me ju, nga e mora informacionin, por mund t;ju them që Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi partnerë më të besueshëm se qeveria për një numër të madh faktorësh, duke përfshirë këtu edhe faktorë ndërkombëtarë.
-Peka: Në rastin konkret është faktor ndërkombëtar?
Basha: Në vetë natyrën e çështjeve do të ishte joserioze, përveçse pot ë isha gazetar, që unë s’jam, jam kryetari i opozitës, dhe pretendenti për kryeministër dhe ish-Ministër i Brendshëm dhe ish-Ministër i Jashtëm kështu që nuk kam ndërmend të hyj në këto detaje sado interesante të jenë për emisionin.
Peka: Por bëtë publike një fakt për një operacion i cili ishte në vazhdim z.Basha?
Basha: Absolutisht jo! Operacioni ishte në dështim dhe ishte pikërisht bërja publike e faktit me koordinim të plotë me ata faktorë pa të cilët Shqipëria do të ishte edhe më zi se ç’është sot dhe me ndihmën e të cilëve do të ngrihemi bashkë me qytetarët shqiptarë që këta të paktën të detyrohen ta kapin dy ditë më vonë.
-Peka: Kjo dëshmi e shpëtoi operacionin?
Basha: Absolutisht kjo dëshmi apo ky paralajmërim ishte pjesë e një skenari alarmesh të vëna në lëvizje nga këta faktorë, të cilët kur panë mungesë totale reagime iu drejtuan sigurisës së fundit së një vendi që është opozita e vendit.

-Peka: Pra, nuk keni këtë shqetësimin se keni qenë dekonspirues me partnerët? Sepse kjo është akuza që bëhet ndaj jush z.Basha.
Basha: Mos u merrni me akuzat e Taulant Ballës. Si mund të merreni me akuzat e një njeriu i cili pranon publikisht miqësinë me një të dënuar të bandës së Lushnjës. Ky njeri nuk do të jetë më subjekt, as referencë, vendi i tij nuk është as në Parlamentin e Shqipërisë, as në politikë, por është para drejtësisë. Prandaj të mos bëhemi pjesë e banalizimit të së keqes duke ikur nga thelbi i çështjes. Ky është thelbi i çështjes, ky është problemi në vend dhe ky problem kërkon një zgjidhje e cila siç ju thash nuk mund të burojë as me një sentencë, as një editorial. E rëndësishme është kjo, dhe këtë ia kërkoj çdo gazetari pavarësisht nëse është në ditën e parë apo të saj të punës, nëse ka 30 vjet më gjatë se shumica e politikanëve që shkruajnë editoriale, të mos censurojnë lajmet e rëndësishme. Gunther Krichbaum dha një intervistë ditën e hënë në gazetën ‘Panorama’ dhe një çështje shumë e rëndësishme është ajo e relativizimit të qëndrimit ndaj Fatmir Xhafës. Mediat shqiptare, shumica dërrmuese e mediave shqiptare kanë fshehur apo kanë relativizuar qëndrimet gjermane në raport me Fatmir Xhafën. Para dy muajsh e gjysëm nënkryetari i grupit Parlamentar CDU/CSU, faktikisht numri katër i hirearkisë kristiandemokrate pas kancelares Merkel e tha qartë se Fatmir Xhafa nuk mund të qëndrojë në detyrë. U përsërit kjo nga Thorsten Frei, dhe u pyet kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane Gunther Krichbaum nëse këto ishin qëndrime personale, këtë të hënë deklaroi qartë se qëndrimi për Fatmir Xhafën është i grupit parlamentar CDU/CSU. Asnjë media nuk e jep, asnjë, edhe ato që shquhen për një sens kritik apo objektiv ndaj kësaj maxhorance. Pra, kjo është një detyrë themelore e medias dhe e shtypit. Natyrisht detyrat e një gazetari, sikundër e çdo qytetari të lirë shkojnë përtej detyrave të tjera profesionale. Por lutja e parë që kam duke i respektuar maksimalisht për mendimet dhe opinionet e tyre edhe për dëshirën për tu përfshirë në strategjinë opozitare, për të cilën i ftoj të jenë pjesë aktive, jo thjesht pasive dhe këshilluese nga larg, por detyra e parë është të mos censurojnë të vërtetën. Vetëm e vërteta do të na shpëtojë.

Exit mobile version