Kryetari i opozitës është i prerë në qendrimin e tij. Reforma në Drejtësi do të bëhet duke i vendosur ndërkombëtarët në pozicionin që atyre u jep Komisioni i Venecias, por edhe që ata e kanë kërkuar vetë. Basha është i qartë në formulën e propozuar. Hapësirë pa fund monitorimi ndërkombëtarëve në të gjithë procesin e Reformës.
“Hipokrizi e mesditës. Rama nuk tërhiqet nga bllokimi, por gjen pretekste për t’i ikur përgjegjësisë dhe për t’ju fshehur Venecias. Nëse vërtet e do Reformën në Drejtësi, zgjidhjen e ka gati, e ka në tryezë”, shkruante Basha në reagimin e tij në Facebook, në përgjigje të konferencës së shtypit të kreut të qeverisë, i cili përjashtoi çdo mundësi për negociata të mëtejshme për gjetjen e konsensusit. Sipas Ramës tashmë nuk është ai që nuk pranon konsensusin, por janë SHBA dhe BE që nuk duan formulën e paraqitur nga PD.
Në fakt kjo deklaratë e kreut të qeverisë është hedhur poshtë nga ambasadori amerikan, i cili e ka refuzuar qendrimin e Ramës dhe ka kërkuar një takim të dytë mes kreut të qeverisë dhe kreut të opozitës. Ai po ashtu nuk ka dhënë asnjë qëndrim në lidhje me propozimin e PD, por ka kërkuar një zgjidhje e cila të jetë e pranueshme si për opozitën ashtu edhe pozitën.
Basha ka përsëritur qëndrimin e PD duke saktësuar se cila do të jetë hapësira e monitorimit të ndërkombëtarëve në Reformën në Drejtësi.
“Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu, ONM ka të drejtë të dorëzojë pranë Komisionit ad hoc dokumentacionin që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga Komisioni ad hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumenteve dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti”, shprehet Basha në postimin në Facebook, duke shtuar se kjo zgjidhje e ofruar nga opozita është tërësisht sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias që është arbitri i vetëm i kërkuar dhe i pranuar nga të gjitha palët.
Ndërsa opozita ka bërë publik propozimin e ri për konsensus, duke specifikuar rolin e ndërkombëtarëve në procesin e monitorimit sipas Komisionit të Venecias, ai që ka heshtur është kreu i qeverisë. Rama po mundohet të fshihet pas kostumit të ndërkombëtarëve. Ai shfaqet si një zëdhënës i tyre, ndërsa nuk paraqet asnjë qëndrim të tij. Ai thotë se, qëndrimi i tij është që ndërkombëtarët të jenë vendimmarrës. Të mund të shkarkojnë dhe të emërojnë prokurorë dhe gjyqtarë duke qenë pjesë e trupës ekzekutive të Komisionit të Vetingut.
Kjo në fakt nuk ndodh askund tjetër në ndonjë vend europian përveçse në Shqipëri. Pyetja që shtrohet është nëse ndonjë nga këta ndërkombëtarë gabon, atëherë kush do të përgjigjet për gabimin e tyre? Kjo pyetje e opozitës nuk gjen përgjigje, sepse vetë Rama mendon se mund të fshihet pas ndërkombëtarëve edhe në këtë proces.
Ka shumë raste kur ndërkombëtarët kanë gabuar. Një rast i tillë në kufijtë e skandalit është ai i Kosovës i pak viteve më parë, kur një gjykatës ndërkombëtar u pezullua nga detyra për shkak të aferave korruptive. Kontradikta tjetër në këtë mision të ndërkombëtarëve të Vetingut është që në krye të titullit që i vendoset atyre. Ata thonë se do të jenë monitorues dhe jo vendimmarrës, ndërsa ligji që Rama mbështet është që të jenë ekzekutiv, selektues dhe përjashtues të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe jo vëzhgues. Kjo kontradiktë kërkon zgjidhje. Opozita nuk i referohet një gjetjeje nga vetja në lidhje me këtë proces, por i referohet Komisionit të Venecias. Rama nuk e pranon këtë. Mes Ramës dhe institucionit kryesor të drejtësisë që është Komisioni i Venecias, opozita është e prerë për të respektuar Venecian dhe jo eksperimentin e radhës të Ramës.
Basha: Reforma në Drejtësi pa deklarata elektorale
Rama ka nisur dje fushatën elektorale me deklarata për Reformën në Drejtësi. Kjo është një dëshmi se gjithnjë dhe më shumë Rama po mendon se ai nuk do të jetë më Kryeministër pas 21 korrikut dhe ka nisur të përdorë si kalë beteje në këtë fushatë të re elektorale Reformën në Drejtësi. Në fakt nuk e çon askund Ramën. Kryetari i opozitës, Basha i ka kërkuar Ramës që të përqendrohet tek zgjidhja e Reformës në Drejtësi dhe jo tek deklarata elektorale me reformën.
“Reforma në Drejtësi nuk ka nevojë për deklarata elektorale. Kjo reformë kërkon gjithpërfshirje të gjithë shqiptarëve, të çdo faktori politik dhe opozitës e jo përjashtime siç ka bërë deri tani dhe siç po vazhdon të bëjë Rama”, thotë Basha.
Ai i kujton Ramës edhe ndryshimet e shpeshta të pozicionit të tij gjatë këtyre muajve në lidhje me qëndrimet ndaj opozitës.
“Është e vështirë t’i besosh një njeriu që një herë thotë Reforma e Drejtësisë do të kalojë pa opozitën, pastaj kërcënon se “do ta votoni me një këmbë”, pastaj tenton planin e blerjes së mandateve, pastaj plane të tjera B, C, D… e tani lëshohet në ekstremin tjetër: “shkruajeni vetë si të doni”, duke përjashtuar Partinë Socialiste nga përgjegjësia. Me këtë deklaratë, ai vetëm sa fakton se asnjëherë nuk e mori seriozisht Reformën në Drejtësi, por e trajtoi prej ditës së parë si instrument pushteti, për larje llogarish dhe intriga politike”, thotë Basha.
Kryetari i opozitës thotë se Reforma në Drejtësi nuk mund të përdoret për të bërë pazare apo kalkulime politike. “Nuk kam pranuar që në fillim dhe nuk do të pranoj as sot, as nesër që drejtësia të trajtohet si plaçkë për të mbyllur pazare apo për të bërë kalkulime për hir të karriges. PD dhe opozita është angazhuar me seriozitet që ditën e parë, duke kërkuar konsensus, duke ofruar zgjidhje, duke qëndruar fort në parimet dhe rekomandimet e Venecias. Sepse qëllimi ynë i vetëm është një reformë që t’i shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë sot dhe në dekadat që vijnë dhe jo orekseve të ditës, skemave, intrigave dhe kurtheve për pushtet.
Opozita e ka shkruar propozimin me kaligrafi dhe përmbajtje të Venecias dhe Rama e ka mbi tryezë. Ta votojmë, e shqiptarëve dhe aleatëve që po kërkojnë konsensusin tash sa kohë, t’u japim lajmin e mirë!”, përfundoi Basha.
A.Shahini