Basha i uron shërim të shpejtë doktor Dhimitrit: Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka uruar shërim të shpejtë mjekut Dhimitër Kraja, i cili pas 48 viteve punë në spitalin Infektiv iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, rikthim që e infektoi me Covid-19.

Kreu i PD, shkruan në reagimin e tij se, të gjitha lutjet shkojnë për shëndetin e doktorit, dhe për të gjithë mjekët që janë në vijën e parë të frontit të përballjes me sëmundjen.

Reagimi i plotë

Asgjë nuk e ndali doktor Dhimitër Krajën të rikthehet pas 48 vitesh në repartin e infektivit për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e pacientëve.

Guximi, humanizmi, profesionalizmi dhe solidariteti njerëzor rrëzuan çdo pengesë, dhe e rikthyen atë në krah të kolegëve të tij, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të bashkëqytetarëve nga virusi i rrezikshëm që e preku dhe atë vetë.

I uroj nga zemra doktor Dhimitrit shërim të shpejtë! Urime dhe lutje për shëndetin e tij burojnë nga zemra e çdo shqiptari. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19.

Exit mobile version