Kreu i PD, Lulzim Basha ka flour sot për ligjin që kalon pronat publike tek privati dhe që u miratua dje në Kuvend me votat e mazhorancës.
Basha e quajti këtë si një ligj të porositur nga oligarkët që duan të marrin pronat publike dhe një prej tyre që synojnë është Instituti Albanologjik i Tiranës. Sipas tij, kjo është një nga mijëra pronat që po synohet përmes këtij ligji.
“Indiciet fillestare të marra përmes denoncimeve që vijnë në Partinë Demokratike, tregojnë se interesat e personave të shpallur non grata për arsye të krimit të organizuar dhe influencimit dhe korruptimit të zgjedhjeve, i kanë vënë syetë Institutit Albanologjik të Tiranës. Kjo është një nga mijëra pronat që bie nën këtë ligj dhe që po synohet përmes këtij ligji. Megjithatë ne, bashkë me departamentin Anti-Korrupsion, me departamentin tonë juridik po bëjmë analizën e plotë. E sigurt të jetë që në momentin e parë që të kemi diçka si me thënë është përtej dyshimit, këtë do ta bëjmë publike dhe do ta çojmë aty ku duhet çuar në SPAK” – tha Basha në konferencën për mediat.