Basha: Janë përpëlitjet e fundit të kriminelëve në pushtet

Kryetari i PD-së ftoi të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestën e nesërme ku ai do të jetë së bashku dhe me familjen.
“Kemi rakorduar me aleatët parlamentarë të gjitha detajet për ditën e nesërme sa i takon organizimit politik. Jemi në përditësim të lajmeve nga të gjitha anët e vendit që flasin për një pjesëmarrje gjigande rekord në protestën e nesërme. Sot ka një marrëdhënie të re të ndryshme nga 6 muaj më parë midis pushtetit dhe qytetarëve. Shumica e qytetarëve nuk kanë dyshim se shteti është i kapur nga banditët. Kjo është arsyeja përse nesër në sheshin e protestës do të derdhen me qindra mijëra qytetarë, demokratë, socialistë e të bindjeve të ndryshme në një protestë të madhe popullore, e cila do të shpallë këtë marrëdhënie të re”, deklaroi kreu i PD-së.
Basha theksoi se do të jetë në protestë me familjen e tij dhe se nuk do të ketë luftë por do të jetë një protestë paqësore.
“Ne të gjithë do të jemi në protestë nesër. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë. Shumica e shqiptarëve nuk do të pranojnë më banditë në qeveri, banditët e kanë vendin në burg. Ndaj ejani të gjithë, mos rrini gojëkyçur në shtëpi duke mallkuar. Nesër është dita e bashkimit të madh të shqiptarëve. Nesër është dita e bashkimit te një shumice ndaj pakicës, e cila nuk ka rrugë tjetër veç të largohet e t’i hapë rrugë qeverisë anti-mafia”, apeloi Basha.

Artikulli paraprakBasha: Nesër protestë gjigante, populli nuk pranon bandat në qeveri
Artikulli tjetërSkandal, financieri i bandës Habilaj-Tahiri u ekstradua në Itali kur po bëhej i penduar