Kryetari i PD, Basha u takua dje me banorë të revoltuar të veriut të Shqipërisë në qytetet e Kukësit dhe Tropojës. Kudo varfëri, mjerim dhe padrejtësi të pushtetit dhe nga ana tjetër banorë të revoltuar me situatën në të cilën ndodhen. Kryetari i opozitës u ka premtuar banorëve të Kukësit se PD nuk do të pranojë taksën për rrugën e “Kombit” të vendosur nga qeveria.
“Kukësi është në varfëri të plotë. Papunësia ka prekur çdo familje dhe rreth 6 mijë prej tyre jetojnë me ndihmë sociale.
Pagesa që qeveria vendosi për rrugën e “Kombit” do të dyfishojë çmimin e biletës të udhëtimit, do të rrisë koston e lëvizjes së mallrave, dhe do t’i izolojë kuksianët nga pjesa tjetër e vendit.
Ju premtova kuksianëve se unë dhe Partia Demokratike nuk do të pranojmë që ata të paguajnë për rrugën e “Kombit. Rruga e “Kombit” duhet të jetë e lirë, duhet të jetë rruga që na bashkon dhe jo rruga që na izolon”, tha Basha në takimet që ka zhvilluar me banorë të këtij qyteti.
Ardita Çelaj është maturante e shkëlqyer në gjimnazin “Asim Vokshi” në Bajram Curri. Ka pasion fizikën e matematikën dhe dëshiron të studiojë tek Shkencat e Natyrës në Tiranë. Por, Ardita është në vështirësi ekonomike dhe është e pasigurtë nëse do të arrijë të përballojë studimet e larta. “I thashë Arditës të mësojë dhe të ketë besim tek e ardhmja. Asnjë maturanti që e meriton nuk do t’i mohohet e drejta e studimeve nga pamundësia ekonomike. Shqipëria do të ketë vend për ëndrrat e gjithë të rinjve. Shqipëria do të jetë e tyre, tha Basha.
Një tjetër qytetar i është ankuar Bashës se megjithëse ka fituar gjyqin, pushteti nuk e rikthen në punë, ndërsa është detyruar të shesë në treg, por prej 10 ditësh, ai është kthyer në një vëzhgues për shkak të papunësisë.
“Ylber Morina nga Kruma e Hasit. Baba i tre fëmjëve. Polic i larguar padrejtësisht nga detyra. Ka fituar gjyqin, por nuk e kthejnë në detyrë. Tani përpiqet të shesë në treg. Ka 10 ditë që nuk ka shitur asgjë. Është i pastrehë dhe jeton me qira. Është i mbytur në borxhe. E gjithë Kruma është plot halle si Ylberi, një qytet ku më shumë se gjysma e popullsisë është e papunë”, tha Basha.
Hapje, bashkim, qendrim pranë qytetarëve
Lulzim Basha u tha demokratëve të Delvinës dy ditë më parë se, gjendja në vend është e padurueshme dhe ka ardhur ora e ndryshimit. Realiteti është dramatik, shqiptarët janë braktisur nga qeveria që ekziston në botën e saj të luksit.
“Në këto 3 vite janë dhënë 1 miliard dollarë për shëndetësinë, por jo vetëm që nuk është shpenzuar asnjë lek për përmirësimin e shërbimit, i cili është përkeqësuar, por paratë kanë shkuar në 2-3 klientë të Edi Ramës. Ndërkohë që Shqipëria po lëngon nga papunësia, nga varfëria, nga padrejtësia dhe po zbrazet nga rinia, nga qytetarët, nga të papunët, por edhe nga profesionistët, kur populli është i përmbytur, Edi Rama merr avionin për ekspozitë në Nju Jork. Sëmundja e dermatozës nodulare bën kërdinë tek fermerët në zona të tëra të Shqipërisë, Edi Rama merr avionin dhe shikon ndeshje sporti. Shqiptarët kërkojnë atë që është e tyrja dhe u takon, kërkojnë Shqipërinë, resurset e Shqipërisë, buxhetin e Shqipërisë të përdoret për shqiptarët, të përdoret për shumicën”, tha Basha.
Thirrja për demokratët është e qartë. Demokratët i kanë prirë ndryshimit dhe nevojave të vendit qysh ditën e parë të krijimit.
“Kurrë Partia Demokratike nuk ka qenë në bisht të ndryshimit. Gjithmonë i ka prirë asaj. Ndaj sot jemi mbledhur këtu, jo vetëm për të ndarë dhe diskutuar hallet dhe problemet e përditshme, por edhe rrugët e zgjidhjes që kalojnë përmes platformës tonë të kthimit të pushtetit tek qytetarët, të kthimit të Delvinës tek banorët e Delvinës, të kthimit të Shqipërisë tek shqiptarët. Por po kështu për të vendosur kursin e aksionit tonë politik që do të mundësojë që ky konsensus i madh qytetar të kthehet në një energji politike, të kthehet në një bashkësi të madhe që tejkalon konturet e partisë tonë politike dhe kështu me votë të largojmë qeverinë e pakicës dhe t’ia kthejmë qeverisjen dhe Shqipërinë shumicës, qytetarëve, shqiptarëve. Bashkimi dhe hapja janë në funksion të njohjes së realitetit, të vërtetave të qytetarëve. Atë që nuk e bën Edi Rama, atë që nuk e bën dot ai, ne duhet ta bëjmë me çdo kusht. Ne duhet të njohim realitetin ku jetojnë bashkëqytetarët tanë”, theksoi Lulzim Basha.