Basha u shpreh në Kuvendin Zgjedhor të degës 15 në kryeqytet se prej një vit e gjysmë pushteti i Edi Ramës i fut shkopinj në rrota SPAK-ut, duke i prerë buxhetin, duke mos i dhënë personelin e mjaftueshëm dhe duke e goditur politikisht.
Përveç Ramës, Basha nuk la pa përmendur edhe një grup deputetësh që i thonë vetes të Partisë Demokratike, të cilët ngritën kartonat për të amnistuar drejtorët e korruptuar të Edi Ramës.
Për Bashën, ata janë kthyer në aneks të Partisë Socialiste.
“Kanë një vit e gjysëm që i fusin shkopinj nëpër rrota SPAK-ut, që i presin buxhetin, nuk i japin personelin e mjaftueshëm, kanë filluar ta godasin politikisht. I pari Edi Rama që i thotë BKH-së “kush je ti që vjen e kërkon te ne”, “sillu më mirë” – i thotë. Byrosë Kombëtare të Hetimit i thotë silluni më mirë me zyrat e shtetit. Pra ky që në fakt duhet të mbyll gojën para BKH-së, para SPAK-ut, sepse këta prandaj janë krijuar kundërkorrupsionit, ka filluar tani t’i kërcënojë, i quan “republikë prokurorësh”. Dhe papritur shohim palën tjetër, pazarxhinjtë e vërtetë në krah të Edi Ramës. Si? Fare e qartë. Dje të paktën 10 apo 15 nene të amnistisë përfitues janë zyrtarë të korruptuar për tendera, për korrupsion aktiv, për korrupsion zgjedhor. Janë aty, e zezë mbi të bardh. Pra, ata deputetë që i thonë vetes deputetë të Partisë Demokratike, ngritën kartonat për të amnistuar drejtorët e korruptuar të Edi Ramës. Ndërkohë që kanë lënë në ndjekje penale jo dhjetëra por qindra protestues demokratë të cilët nuk përfitojnë nga amnistia e djeshme. Sepse janë kthyer në aneks të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës.”