Basha: Kapjen e pushtetit vendor Edi Rama e bëri në bashkëpunim me kriminelët, priten të tjerë kandidatë të inkriminuar

30 qershori ishte grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama. Ky grusht institucional u realizua sërish në bashkëpunim e krimin.

Ndonëse jo objekt i vlerësimit të Raportit, tashmë është një e vërtetë e njohur botërisht është se: Në mënyrë të qëllimshme, kapjen e pushtetit vendor Edi Rama e ka bërë në bashkëpunim me kriminelë.

Janë deri tani dy kandidatë për kryebashkiakë të vertetuar me të shkuar kriminale dhe priten të tjerë.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij fakti duhet të kemi parasysh diçka: më 30 qershor nuk kishte asnjë konkurencë, nuk kishte asnjë garë. Edi Rama mund të emëronte këdo që dëshironte pa u shqetësuar se sa vota do të merrte. Por edhe në këto kushte zgjedhja e tij e natyrshme ishte krimi, ishin personat me rekorde kriminale.

Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë garë, Edi Rama zgjodhi krimin.

Edhe kur ishte i vetëm pa asnjë konkurent, edhe kur vetë i kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe vetë certifikoi, ai vodhi, manipuloi dhe shkeli çdo standart.

Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demorkatike ka thënë fuqishëm: Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë.

Basha: Raporti OSBE/ODIHR ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës

30 qershori tregoi edhe një të vërtetë tjetër: me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Raporti i ODIHR është më shumë se raport zgjedhor. Ai nuk rrëzon vetëm votimet e 30 qershorit. Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës.

Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit

Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal.

Raporti tregon se në Shqipëri shteti është vetëm një vegël në shërbim të vullnetit personal të Edi Ramës.

Në autokracinë e Edi Ramës shteti është instrument privat i gjithi në shërbimin ekskluziv privat të Edi Ramës

Basha: Në Shqipëri, kushtetutë dhe ligj është Edi Rama

Në shtetin privat të Edi Ramës datën e zgjedhjeve nuk e cakton Presidenti, sikurse ka vendosur Kushtetuta, por Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës kushtetueshmërinë e ligjeve nuk e gjykon Gjykata Kushtetuese por Partia Socialiste e Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës, dekretet e Presidentit, kryetarit të Shtetit, nuk botohen në Fletore Zyrtare nga Ministria e Drejtësisë siç e kërkon ligji, por zhduken pa lënë gjurmë siç e do Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, KQZ në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës vendos të përjashtojë opozitën nga administrimi zgjedhor dhe ja beson atë njerëzve të caktuar nga Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, edhe partitë politike krijohen nga Edi Rama dhe atyre u vihet i gjithë shteti në dispozicion për të krijuar fasadë pluraliste për autokratin Edi Rama.Në shtetin privat të Edi Ramës, gjykatat nuk vendosin bazuar në ligj dhe në shërbim të drejtësisë, por sipas dëshirave dhe për llogari të Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës administrata publike dhe burimet publike janë në shërbim të Edi Ramës dhe pronë e Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës, siç e pa dhe u dëgjoi mbarë bota edhe nga përgjimet e BILD, edhe krimi është në shërbimin ekskluziv të Edi Ramës.

Exit mobile version