Basha: Kavaja nuk u tremb nga diktatura dhe nuk trembet nga sulmi burracak i Ramës

Një ditë pas plagosjes me armë zjarri të aktivistit të PD, Bledar Okshtuni, kryetari i PD, Lulzim Basha e nisi turin elektoral të ditës së martë, pikërisht nga Kavaja.

Ai tha se, ora e ndryshimit po afron dhe se Kavaja do të sjellë fitoren e të gjithë Shqipërisë.

Basha deklaroi se Kavaja ka sjell demokracinë dhe fitoren, nuk e ndalohet nga sulmet e bëra, e këtu iu referua plagosjes së djeshme.

“Të rinj dhe të reja të Kavajës, qytetarë, ora e fitores po afron. Ora e ndryshimit po afron, dita po vjen, për ta larguar me votën e Kavajës e Shqiptarëve të bashkuar njeriun që për tetë vite me radhë e mbajti peng vendin. E përzuri rininë. I ka hyrë frika në palcë, e ka kuptuar dhe paniku i humbjes e ka tmerruar, sepse ai më shumë e më mirë se asnjëherë e di se me 25 prill, Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb.

Vëllezër dhe motra, Kavaja, ia ka vënë gjithmonë tonin demokracisë. Ishte Kavaja që u ngrit e para. Ishte Kavaja që nuk u tremb kurrë nga diktatura. Është Kavaja që e ndezi fitoren tonë për ndryshim. Është Kavaja që do i prijë fitores së gjithë Shqipërisë.

Padurimi juaj, entuziazmi juaj, është një vatër zjarri e shpresës që nuk e shuan dot as shiu i bekuar që është bereqeti i fitores tonë më 25 prill. Që nuk e mbyll dot, as sulmi burracak i Edi Ramës dje, përkundrazi jemi më të vendosur se kurrë, më të fortë se kurrë, jemi më të bashkuar se kurrë, për t’i dhënë shqiptarëve fitoren më të thellë”, deklaroi Basha.

Artikulli paraprakUlja e pensioneve/ Meta: Me paratë e pensionistëve Rama paguan 10 mijë patronazhistë e spiunë
Artikulli tjetërPresidenti i SHBA, letër Vjosa Osmanit: Marrëveshja Kosovë-Serbi të përqëndrohet tek njohja reciproke