Kreu i opozitës, Lulzim Basha mbetet i vendosur që me të marrë pushtetin do të anulojë të gjitha projektet PPP të denoncuar në vijimësi nga opozita si afera korruptive.
Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, Basha tha se, këto afera nuk janë as koncesione as PPP por hajdutëri.
Gazetari: Zoti Basha, keni premtuar dëmshpërblim për disa akte paligjshmërie që ju i keni cilësuar, këtu i referohem Unazës së Re dhe anulimit të disa koncesioneve që ju i keni cilësuar korruptive apo kontratat të PPP. A ngjajnë këto deklarata klishe, sepse kemi dëgjuar nga opozita të tjera, por në fakt vazhdimësia e të gjitha koncesioneve apo kontratave publike ka qenë e njëjtë pa ndryshuar asgjë.
Lulzim Basha: Ka një dallim të madh, asnjë prej atyre që ne i targetojmë si afera korruptive nuk janë as koncesione as PPP, quhen të tilla për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Quhen të tilla për t’i shënuar të tilla në libër. Edhe FMN edhe BB ka konfirmuar atë që kemi konfirmuar ne, këto nuk janë as koncesione, as PPP, por janë hajdutëri. Ndaj gjëja më minimale që opozita mund të zotohet sot dhe që nesër si qeveri do ta bëjë realitet është goditja e ashpër përmes ligjit e këtyre aferave hajdutërore, me dy qëllime: Vënien e përgjegjësve para ligjit, qeveritarë apo agjentë privatë dhe e dyta ndjekja e këtyre kudo që kanë shkuar në çdo formë për t’ia rikthyer shqiptarëve.
Kreu i PD-së foli edhe rreth turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, i nisur prej tij dy javë më parë dhe premtimeve nga ana e tij rreth taksave, tarifave për studentët, pagën minimale etj.
Zoti Basha, prej më shumë se dy javë keni nisur një tur që e keni titulluar “Rrugëtimi për Shqipërinë”, çfarë do të thotë konkretisht kjo?
Lulzim Basha: Rrugëtimi për Shqipërinë është në radhë të parë bashkëbisedim, është një tur dëgjimi që ka nisur me rininë. Këtë javë vazhdon me biznesin e vogël, do të vazhdojë me fermerët dhe do ti rikthehet sërish ekonomisë, punësimit, nivelit të pagave dhe kushteve për mirëqenie, kushteve të kostos së jetës. Pra është një mundësi për ti dëgjuar qytetarët, për të kuptuar nga ta shqetësimet e tyre, por edhe shpresat, aspiratat dhe çfarë presin nga një qeveri e nesërme e dalë nga një votë e qytetarëve, çfarë kërkojnë dhe si mund të realizojmë zgjidhjet e përbashkëta për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë që ka pllakosur.
Gazetari: Zoti Basha, ju keni premtuar ulje tarifa për studentët, keni premtuar paketë të plotë sa i përket ekonomisë, ku kryesorja është ulja e taksave. A ka një përllogaritje PD nëse buxheti mund të përformojë me këtë që ju propozoni?
Lulzim Basha: Buxheti do të mbiperformojë me paketën që propozojmë ne. Ekonomia nuk është numratore, por është një dinamikë e cila përcakohet nga mënyra si sillet qeveria me buxhetin. Nëse kemi një qeveri që rrit taksat, rrit represionin dhe paratë ia jep një grushti oligarkësh, ekonomia do të bjerë në gropë siç ka rënë.
Nëse kemi një qeveri që ul taksat, ul koston e prodhimit, ekonomia do të rritet, kontributet e faktorëve ekonomikë do të rriten dhe nëse këto taksa shpenzon në mënyrë të zgjuar me ato prioritete që ka vendi siç është arsimimi i të rinjve, pajisja e tyre me profesione që zgjerojnë ekonominë, veçanërisht në ato degë ku ka kërkesë të madhe edhe nga investimet e huaja siç janë degët e teknologjisë të informacionit apo të inxhinierive, kjo do të jetë një kurbë rritëse, ku kontributet do të jenë transparente, të ulëta ku të gjithë do të kontribuojnë dhe të ardhurat nuk do të shpenzohen për ta pasuruar një grup oligarkësh dhe pushtetarët e lidhur me ta, por do të shpenzohen për ti ardhur në ndihmë investimeve publike, investimeve në arsim dhe investimeve në shëndetësi që do të sjellin një zinxhir pozitiv për ekonominë apo investimeve në rrafshin social, ku rroga minimale 300 euro nuk është një domosdoshmëri jetike, njerëzore, por është edhe një mënyrë për të fuqizuar konsumin e brendshëm me pasoja pozitive, për biznesin dhe mirëqënien në terësi.