Basha me kreun e PPE: Moshapja e negociatave ndëshkon vendin dhe ndihmon politikanët që bashkëpunojnë me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua në Sofje me Presidentin e Partisë Popullore Europiane Joseph Daul, i cili e përgëzoi Bashën për qëndrimin e opozitës në luftën kundër krimit të organizuar.
Takimi i paraprin pjesëmarrjes së zotit Basha sot në Samitin e PPE për Ballkanin Perëndimor, ku janë të pranishëm edhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, Kryeministri i Austrisë Sebastian Kurtz, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker, Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani, Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk, dhe drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian, përfaqësues të partive të qendrës së djathtë europiane.
Basha konfirmoi qëndrimin e opozitës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Basha e argumentoi këtë qëndrim me bindjen se me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, Bashkimi Europian do të shtojë asistencën që vendi të luftojë kapjen e shtetit, krimin e organizuar, korrupsionin, të ndihmojë në sundimin e shtetit të së drejtës, përfshirë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Moshapja e negociatave, theksoi Basha, do të ndëshkonte Shqipërinë dhe shqiptarët. që presin dhe meritojnë standarde europiane dhe do të ndihmonte krimin dhe politikanët që kanë tradhëtuar interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë duke bashkëpunuar me krimin për pushtetin dhe pasurimin e tyre.
Presidenti i PPE Joseph Daul e garantoi Kryetarin e Partisë Demokratike për mbështetjen dhe ndihmën e Partisë Popullore Europiane për shpalosjen e vizionit dhe planit të demokratëve për çlirimin e shtetit nga kapja e krimit të organizuar, për shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin, luftën kundër korrupsionit, për rritjen ekonomike dhe rikthimin e shpresës në vend.

Artikulli paraprakDeputeti gjerman në Bundestag i prerë: Asnjë përparim në tregtinë e drogës nga Shqipëria
Artikulli tjetërProtesta, mijëra qytetarë të Tiranë përplasen me policinë në ministrinë e Brendshme (Foto)