Basha: Kriminalizimi i politikës, njolla e zezë e kumbarit Rama

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se shumë zyrtarë, deputetë e kryebashkiakë kanë fshehur të dhënat e tyre në formularët e vetdeklarimit ndërsa paralajmëroi se çdo kush që ka fshehur të dhënat do mbajë përgjegjësi ligjore.
“Qytetarët shqiptarë kanë nisur të njihen me të vërtetat e para që rezultojnë nga fillimi i zbatimit të ligjit për dekriminalizimin.
Këto të dhëna të para konfirmojnë katërcipërisht alarmin tonë të madh për ekzistencën dhe përmasat kritike që ka marrë në qeverisjen e Edi Ramës promovimi në poste drejtuese i personave me rekorde kriminale.
Kandidimi dhe emërimi i narkotrafikantëve, tutorëve të prostitucionit e deri vrasësve si deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë bashkiakë, drejtorë dhe drejtues në poste kyçe të institucioneve publike përfshirë Policinë e Shtetit, tregon arsyen se pse Edi Rama bëri gjithçka për të mos miratuar ligjin e dekriminalizimit për një vit me radhë.
Rezultatet e para të ligjit për dekriminalizimin nisën në fakt kur Edi Rama e pa se nuk do të mund ta bllokonte miratimin dhe zbatimin e këtij ligji. Kështu u largua Arben Ndoka, i dënuari për trafikim të qenieve njerëzore, për futjen e të cilit në Parlament”tha Basha.
Basha kujtoi se Edi Rama largoi dy gra socialiste nga lista e deputetëve sepse i duhej ta përdorte si topuz kundër opozitës. “Kështu u largua Mark Frroku kur Edi Rama i rezistoi sa mundi ligjit, madje duke fshehur urdhër arrestin e Interpolit për të.
Ndërkohë, që në fazën e vetëdeklarimit, pa qenë nevoja e ndonjë verifikimi të posaçëm, ka dalë qartë se kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi alias Ervin Roshi, kryetari i  Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, bashkë me alias të tij, kryetari i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi që ka deklaruar vetëm 4 nga 6 emrat e përdorur në “karrierën” e tij të mëparshme, do të dorëzojnë detyrën.
Kryebashkiakë të tjerë mund të largohen e do të largohen gjithashtu pas verifikimit të formularëve” tha ai.
Kreu i PD bëri të ditur se “informacionet e ardhura nga partnerët dhe nga qytetarët, denoncimet e shumta që kanë mbërritur dhe po mbërrijnë tregojnë se shumë funksionarë të tjerë, deputetë, kryetarë bashkish e drejtues të administratës shtetërore kanë fshehur të dhënat e tyre në formularët e vetëdeklarimit.
Por treshja Roshi-Bushi-Bardhi u kujton sot, në këtë ditë të së vërtetës gjithë shqiptarëve, kumbarin, promovuesin dhe mbrojtësin e tyre të vendosur Edi Ramën. Ky nuk u mjaftua të sfidonte opozitën e vendit, nuk u mjaftua të më sfidonte mua kur i kërkova moskandidimin e tyre, por sfidoi edhe ambasadorin e SHBA në Tiranë, i cili paralajmëroi si sot një vit më parë, në prag të zgjedhjeve vendore, se kandidimi i tyre, kandidimi i individëve me rekorde të tmerrshme kriminale është një poshtërim për popullin shqiptar”.
“Sot kushdo ka mundësi ta tregojë me gisht e ta thotë me emër dhe mbiemër poshtëruesin, atë që nuk dëgjoi deri në fund dhe ky quhet Edi Rama. Ky është në fakt autori numër një i promovimit të vetëdijshëm e të programuar të individëve me rekorde kriminale në politikë. Kriminalizimi është njolla e tij, vepra e tij e zezë. Që ka filluar të zhbëhet pa u miratuar ligji, ka vazhduar dje e që do të çmontohet deri në burmën e fundit, siç kam premtuar kur e filluam këtë betejë, përmes zbatimit pa kompromis të ligjit të dekriminalizimit. Në vend që të kërkonte ndjesë, në vend që të bënte mea culpa-n që ia kam kërkuar gjithmonë ose të heshtte duke parë të dilte dje nga sita e ligjit produktin e parë të veprës së tij të zezë, Edi Rama u mundua ta fuste këtë debat të madh e pse jo të dhembshëm në logjikën e një lotarie numrash. A thua se loja e kungulleshkës ka rëndësi dhe jo fenomeni.
Kreu i PD theksoi se nëse ligji për dekriminalizimin nuk do të ishte miratuar, sot në zyrat e shtetit do kishte më shumë kriminelë se në burgje.
“Sigurisht, numrat që kanë dalë e ata që priten të dalin janë më shumë se të mjaftueshëm për të kuptuar ku po e çonte Shqipërinë ky njeri.  Unë, bashkë me gjithë shqiptarët, bëj sot pyetjen: Si do të kishte qenë e si do të ishte Shqipëria po të mos ishim bërë barrikadë kundër vërshimit të ushtrisë së individëve me rekorde kriminale në Kuvend, në pushtetin vendor, në zyrat e shtetit, në polici, me firmën e Edi Ramës dhe ministrave të tij? Ku do të ishim sot?
Me siguri në zyrat e kësaj qeverie dhe këtij pushteti do të kishte më shumë kriminelë se sa në gjithë burgjet e Shqipërisë marrë së bashku” tha ai.
Basha shprehu bindjen se “pa ligjin e dekriminalizimit, Parlamenti i ri i zgjedhjeve të ardhshme do të kishte me siguri më shumë se gjysmën deputetë të ardhur nga bota e krimit. Ne e ndaluam këtë gjëmë kombëtare. Fillimi i zbatimit të ligjit për dekriminalizimin është një interes i madh publik, është një ngjarje e madhe për politikën, për vendin, për shoqërinë.
Mos kujtoni se jam i lumtur e fërkoj duart kur zbulohen kriminelët e Edi Ramës në bashki, Parlament e institucione të tjera. Nuk ka asgjë për të festuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me disa emra e disa persona, por me një trend, një model që Edi Rama futi në politikë dhe në jetën publike. Dhe ky është dëmi më i madh që i ka bërë vendit. Sepse Edi Rama ju tha të rinjve e të rejave, burrave e grave, socialistëve e njerëzve pa parti, i tha kujtdo, mos mësoni, mos u aftësoni, mos ruani vlerat dhe integritetin, por nëse doni të ecni para bëhuni si Roshi, si Bushi, si Bardhi, si Balili, si Shullazi, si Ndoka, si Prenga”.
Basha tha se dekriminalizimi nuk bëhet për një palë, nuk bëhet për të përfituar kredite publike e politike, por siç theksoi ai, dekriminalizimi bëhet për vendin, për popullin, për interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë. “Ndaj, unë e përshëndes këtë ngjarje në emër të opozitës dhe ju premtoj shqiptarëve: jemi të vendosur ta çojmë deri në fund zbatimin e ligjit, ta çojmë deri në fund dekriminalizimin de fakto të shtetit dhe shoqërisë si një parakusht për të hapur epokën e së mirës në vend” tha Kreu i PD.

Kush ka fshehur të dhënat do mbajë përgjegjësi ligjore

– Zoti Basha, a do ta marrë Partia Demokratike të drejtën e vet ligjore për t’i kërkuar Prokurorisë verifikimin e disa emrave që mund t’iu interesojnë juve? Nëse po, cilët emra do të verifikoni nga Parlamenti dhe kryetarët e bashkive?
Pas kërkesës tonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dorëzuar materialin e kërkuar, për deputetët, kryetarët e bashkive, drejtuesit e institucioneve kryesore, ministrat. Dhe me këtë nivel të lartë politik do të nisë edhe puna e opozitës, e Partisë Demokratike këtu, për të ecur përpara me kërkesën për verifikimin e tyre në bazë të të dhënave që disponojmë tashmë apo të dhënave që vazhdojnë të vijnë në Partinë Demokratike pas thirrjes që kam bërë. Gjej rastin t’i përsëris sot çdo qytetari shqiptar për të denoncuar gjithçka që dinë për personat me rekorde kriminale në Parlament, në bashki dhe institucionet e vendit. Kështu që po, përgjigjja është po. Partia Demokratike do ta materializojë këtë veprim, këtë aktivitet me kërkesa konkrete në Prokurori për emra konkretë.

– A u zhgënjyet kur patë formularët e vetëdeklarimit sepse për shembull, në Parlament dalin vetëm dhjetë njerëz me të shkuar penale sepse nuk mund të quhen kriminale sepse asnjëri nuk dukej i dënuar për krime që mund të të heqin mandatin. Pesë prej tyre ishin nga Partia Demokratike, njëri ishte dhe për shfrytëzim prostitucioni. Do t’i kandidoni më këta njerëz e kam edhe për kryetarët e bashkive?
Së pari, kjo nuk është çështje Partie Socialiste apo Partie Demokratike. Siç e thashë edhe në deklaratën time është një çështje kombëtare. Kështu e kam konceptuar që prej fillimit unë dhe nuk e kam propozuar ligjin për kundërshtarin. Nuk e kam propozuar ligjin për të dëmtuar Edi Ramën, por sepse kam parë një fenomen të madh dhe të zi që dëmtonte vendin, interesin publik dhe politikën.
Kur jam informuar se ka patur raste të tilla apo kur ka patur raste që kanë refuzuar kriteret e mia të transparencës, edhe para se të miratohej ligji, siç ishin rasti i Këlcyrës, kam vepruar edhe pse në mes të fushatës elektorale dhe kam tërhequr kandidatin. Ky është një standard që unë e kam vendosur para miratimit të ligjit dhe që me siguri absolute do ta zbatoj tashmë që është një kriter i detyrueshëm ligjor.
Sa i përket formularëve, vetëdeklarimi është vetëm faza e parë. Verifikimi i vetëdeklarimit sipas indikacioneve që tashmë kemi nga denoncimet e qytetarëve do të nxjerrë dhe ka nxjerrë dhjetëra raste deklarimesh të paplota për të cilat pa dyshim do të mbahet përgjegjësi ligjore dhe natyrisht duhet bërë një dallim mes deklarimeve rutinë, që kanë të bëjnë me gjëra që nuk kanë lidhje me konceptin e rekordeve kriminale, por që bëhen për shkak të transparencës dhe rekordet kriminale të krimit të organizuar sipas përcaktimeve të ligjit.

Arben Shahini

Artikulli paraprakListë me 130 të inkriminuarit e Ramës me “Eskobarin” brenda
Artikulli tjetërIdentiteti i dyfishtë i Bushit si Kastriot C. dhe atentati në Napoli