Basha kryen homazhe në nder të Kryepeshkopit Janullatos: Ringriti nga hiri Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kultivoi mirëkuptimin dhe dashurinë mes komuniteteve fetare

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e kryepeshkopit Anastas Janullatos, pas homazheve që kreu në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Basha e cilësoi humbje të madhe për popullin shqiptar, veçanërisht për besimtarët ortodoksë, duke theksuar rëndësinë e rolit të tij në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Pavarësisht polemikave gjatë jetës së tij, Basha vuri në dukje kontributin e kryepeshkopit në rivendosjen e një të ardhmeje shpirtërore për Shqipërinë pas dekadash përndjekje fetare. Ai gjithashtu nënvizoi vlerat e paqes, tolerancës dhe dashurisë ndërfetare që Janullatos kultivoi, duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetet fetare të tjera.

Prononcimi i plotë i Lulzim Bashës:

Krishterët ortodoks shqiptarë kanë humbur udhëheqësin e tyre shpirtëror dhe për këtë dua t’ju shpreh nga zemra ngushëllimet e mia. Por humbja e një udhëheqësi shpirtëror sigurisht është një tragjedi për çdo popull. E veçantë është kjo humbje sepse, humbasim kryepeshkopin që ringriti nga hiri Kishën Ortodokse autoqefale të Shqipërisë. E di që për gjatë jetës së tij nuk kanë munguar polemikat shpeshherë të ashpra, të nxitura kryesisht nga gjaknxehtësia e përkatësisë së ortodoksëve shqiptarë, por fatkeqësisht sot, ndonëse unë kam pasur mundësinë t’ia them edhe personalisht, nuk mbetet gjë tjetër veçse të lartësojmë rolin e tij i cili është e do të bëhet gjithmonë e më evident në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga hiri pas dekadave të shkretëtirës shpirtërore dhe luftës kundër fesë nga regjimi i mëparshëm. Kjo është një meritë që ai e bashkëndan me bashkëudhëtarët e tij, me dishepujt dhe nxënësit e tij që sot i shohim të fronëzuar në kishat e ndryshme ortodokse të Shqipërisë, të cilëve bashkë me ngushëllimet e mia ju përcjell edhe bindjen se koha dhe Zoti do t’i lërë jo vetëm me kujtimet më të mira të kryepeshkopit Janullatos. Por edhe me veprën e tij të pavdekshme e cila sot valëvitet në shpirtin e të gjithë të krishterëve ortodoks shqiptarë dhe të gjithë shqiptarëve që çmojnë përtej kësaj vepre të prekshme edhe shpirtin paqësor, tolerancën, mirëkuptimin dhe dashurinë ndërfetare që ai e kultivoi me kaq kujdes me kolegët e tij të kishës katolike shqiptare, të komunitetit mysliman, të komunitetit bektashi, të vëllazërisë ungjillore dhe të gjithë besimtarëve në Zot. Ndaj, lutja ime sot është që shpirti i tij të prehet në paqe dhe falenderimi im si besimtar, por edhe si shqiptar për veprën e tij të pavdekshme që është ringritja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Le t’i bashkohet falenderimit të mijëra besimtarëve ortodoks, por edhe të tjerëve shqiptarë që dinë të vlerësojnë veprat e mira edhe kur njerëzit e mirë nuk i kemi mes nesh.

Exit mobile version