Basha-Majko, takim për Asamblenë e NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me deputetin e Partisë Socialiste Pandeli Majko, një takim që ngjalli së tepërmi interesin e gazetarëve dhe të opinionit publik. Takimi mes tyre u zhvillua në ‘Rogner’ dhe zgjati rreth 40 minuta. Për këtë takim mes Bashës dhe Majkos nuk pati njoftim zyrtar, ndërsa sapo gazetarët mësuan rreth kësaj çështje nxituan të merrnin informacion pikërisht në vendin ku po zhvillohej ky takim surprizë. Në përfundim të bisedës mes kryedemokratit dhe deputetit socialist, Basha dha edhe një shpjegim për mediat se për çfarë foli në takimin 40 minuta me Majkon, që ngjalli interes. Sipas kreut të demokratëve, në takim u diskutua për Asamblenë e NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë, duke qenë se Majko është kryetari i delegacionit shqiptar në NATO. “Respektoj z.Majko për kontributin e tij ndër vite dhe shpresoj që komunikimi politik normal mos të përbëjë lajm në Shqipëri. Tema kryesore e diskutimit ishte Asamblea e NATO”, tha kryedemokrati Basha pas takimit. Në fund të muajit maj në Tiranë zhvillohet për herë të parë Asamblea e NATO-s, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë së aleancës ushtarake.

Artikulli paraprakPërgjimet kryheshin në Drejtorinë e Policisë
Artikulli tjetërPërgjimet, fundi i Ramës, ka kaluar vijën e kuqe