Basha: Mbështetje financiare prej 2 milionë e 200 mijë lekësh në vit për të rinjtë pa asnjë të ardhur

‘PD nuk do të lejojë asnjë të ri të mos shkollohet për shkak të kushteve të ulëta ekonomike’.
Deklarata u bë sot nga kreu i PD, Lulzim Basha në një takim me të rinjtë në Kavajë.
Basha deklaroi se do të ketë ‘mbështetje financiare për të rinjtë pa asnjë të ardhur, prej 2 milionë e 200 mijë lekësh të vjetra në vit për t’u paguar të gjithë koston e qerasë, ushqimit, librave, transportit publik dhe interurban’.
‘Për studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lek të vjetra në muaj, të përfitojnë financimin e plotë të tarifave universitare, për bachelor dhe për master. Për ata që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lek në muaj, përgjysmim tarife’, deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.
Pjesë nga bashkëbisedimi i Bashës
Misioni më i rëndësishëm i imi si kryetar i Partisë Demokratike, është të përgatis kushtet që kjo rini të marrë në dorë fatet e vendit nesër.
Pa arsimin e lartë vendi nuk mund të ecë përpara, pa investuar tek arsimi, vendi shkon drejt falimentimit total.
Zgjidhja që ne kemi propozuar.
Në ndërtesën e Parlamentit shqiptar, sepse nuk është më parlamenti shqiptar, është parlamenti i hajdutëve, është parlamenti i banditëve dhe gjakpirësve të popullit.
Por në atë godinë unë kam parashtruar fare qartë, se si mund të zgjidhet kriza e rëndë në Universitetet shqiptare.

Dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë, që do të thotë se të gjithë studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lek të vjetra në muaj, të përfitojnë financimin e plotë të tarifave universitare, për bachelor dhe për master.
Do të thotë që me paratë e buxhetit të shtetit që në fakt janë paratë e prindërve tuaj, dhe me asnjë lek shtesë, çdo bir dhe bijë shqiptari, të ketë mundësi të ndjekë studimet universitare në institucionet publike të arsimit të lartë pa paguar asnjë lek nga tarifa universitare.
Për ata që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lek në muaj, përgjysmim tarife.
Për ata të tjerët që edhe me zerimin e tarifave e kanë të pamundur, që i kanë të dy prindërit pa punë, pa të ardhura, me lëmoshë emigracioni, meritojnë mbështetje financiare nga shteti.
Dhe kjo është plotësisht e mundur me planin tonë.
Ne mundësojmë që të paktën 5 mijë studentë që vijnë nga familje që nuk kanë mundësi të përballojnë as kostot minimale, jo vetëm nuk do të paguajnë tarifa universitare, por do të kenë mbështetje në vlerën prej 2 milionë e 200 mijë lekësh të vjetra në vit për t’u paguar të gjithë koston e qersë, ushqimit, librave, transportit publik, interurban. Dhe kjo është plotësisht e mundur.
Po ngrihemi për t’i dhënë fund një shteti grabitqar, dhe për të ndërtuar një tjetër kontratë sociale
Edi Rama vazhdon të detyrojë prindërit tuaj që të paguajnë taksat më të larta në Europë.
Për shkak të këtyre taksave paguajnë karburantin më të lartë në Europë, paguajnë energjinë më të lartë në rajon. Për shkak të taksave mbyllen 50 biznese në ditë. 50 kryefamiljarë që dalin në mes të rrugës. Këto taksa nuk përdoren për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Për të përmirësuar cilësinë e kopshteve, shkollave, apo për të siguruar një arsim cilësor universitar.

Këto taksa në vend që të shkojnë për të lehtësuar kushtet tuaja dhe për të mundësuar një arsim cilësor, këto taksa vidhen dhe shpërdorohen nga tre apo katër duar që fitojnë PPP-të e famshme. Tani na thotë që me 1 korrik nuk do të ketë më PPP, normalisht se deri më 1 korrik nuk do ketë më lek.
Shqipëria do të jetë vjedhur për 15 vitet e ardhshme.
Taksat që i kanë shkuar shtetit do të kenë shkuar në xhepat e një bande oligarke, biznesmenësh grabitqarë që nuk e meritojnë emrin biznes, se vetëm me biznes nuk merren, vetëm me vjeshje. Për 15 – 20 vitet e ardhshme. Dhe kjo do të ndodhë nqse e lejojmë ne, nqse e lejoni ju.
Jeni të gatshëm ta vazhdojë këtë zhvatje, këtë vjedhje? Këtë grabitje të taksave tuaja dhe prindërve tuaj? a jeni gati të ngriheni gjithësecili prej jush të bëjë detyrën tuaj për të rikthyer, një kontratë sociale mes shqiptarëve. Një shtet që nuk bën ligje për të vjedhur qytetarët, por për t’i shërbyer çdo qytetari.
Po ngrihemi për t’i dhënë fund një shteti grabitqar, dhe për të ndërtuar një tjetër kontratë sociale me të gjithë shqiptarët që duan atdheun e tyre, vendin e tyre!

b 1

Exit mobile version