Opozita e bashkuar ka marrë sot një nga vendimet më të forta politike. Pas vendimit për djegien e mandateve, Basha dhe aleatët kanë deklaruar para mediave se opozita nuk e njeh më Ramën si Kryeministër të shqiptarëve.
“E gjithë opozita ka marrë një vendim për djegien e mandateve, duke iu bindur urdhrit të sovranit pas protestës mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Çdo gjë tjetër thuhet për të devijuar të vërtetën se Edi Rama është kapur si hajduti i zgjedhjeve. Ai nuk është më kryeministri i shqiptarëve”, tha Basha pas takimit me krerët e opozitës.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE PAS TAKIMIT ME ALEATËT
Pyetje: Cili është komenti juaj mbi deklarimet e kryeministrit se opozita po luan bllofin me mandatet, pasi, nëse ajo do ta kishte seriozisht, do duhej t’i digjte që sot mandatet dhe jo të përfshihej në teknikalitete
Lulzim Basha: Mos humbisni kohë me budallalliqet e një njeriu të ç’ekulibruar. Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë 28 vjeçare të pluralizmit. E gjithë opozita ka marrë një vendim për t’iu bindur urdhrit të qytetarëve shqiptarë, që u derdhën me trajtën dhe formën e sovranit në protestën mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Të tjerat janë budallallëqe për të devijuar të vërtetën. E vërteta është kjo: Edi Rama nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Është kapur nga prokuroria shqiptare dhe demaskuar nga Zëri i Amerikës si hajduti i zgjedhjeve të 2017-s. Parlamenti nuk është legjitim dhe ky është shkaku për pasojat që mblodhën qytetarët në shesh.
Këto pasoja janë reale. Është papunësia, është varfëria e ulur këmbëkryq nga qendra e Tiranës e deri në skajin më të largët, keq e më keq. Është kolapsi total i sistemit arsimor, përfshirë atë universitar, është gjendja e shëndetësisë shqiptare… Është pra ekonomia, kriza sociale, emigracioni, që po zbraz Shqipërinë dhe këto probleme kërkojnë zgjidhje. Edi Rama nuk mund t’i japë këto zgjidhje për arsyen e thjeshtë se ai dhe qeveria e tij janë produkt i bashkëpunimit me krimin dhe me oligarkët. Janë të kapur nga krimi dhe oligarkët dhe u shërbejnë vetëm krimit dhe oligarkëve. Asgjë tjetër nuk e shpjegon se pse, pasi është kapur duke vjedhur 30 milionë euro tek Unaza, me një kompani që nuk ekziston, nuk shkon askush në burg. Asgjë tjetër nuk e shpjegon sesi mund të zhvendoset Lumi i Lanës, pak më tutje, për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge, me projekt 60 milionë euro, dhe askush nuk penalizohet. Ky është një shtet i kapur nga krimi. Ky nuk është shteti që shqiptarët duan, ky nuk është shteti që shqiptarët meritojnë. Dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe në Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite.
Ndaj, ju ftoj të mbani vëmendjen, sepse keni edhe ju një përgjegjësi të madhe, tek ky moment kyç i historisë tonë, që është mbi të gjitha një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët dhe kjo e ardhme nuk i përket as krimit, as oligarkëve, as pupacëve të tyre në parlament e në qeveri. U përket shqiptarëve të ndershëm, u përket njerëzve punëtorë të këtij vendi dhe fëmijëve të tyre dhe ne jemi të vendosur t’i prijmë betejës për t’ua dhënë këtë të ardhme Shqipërisë dhe shqiptarëve.