Basha me Arvizu dhe Lu: Qeveria teknike rruga e vetme

Kapja e shtetit nga krimi dhe droga, si dhe rreziku që i kanoset vendit, ekonomisë, zgjedhjeve të lira dhe të ardhmes së vendit nga këto dy fenomene ishin tema e bisedës së kreut të PD, Basha dje me Alexander Arvizu, zëvendësndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve e Zbatimit të Ligjit dhe ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu.
Ai i shprehu zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, si dhe ambasadorit se në këto kushte kjo qeveri nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme ndaj dhe zgjidhja e vetme është krijimi i një qeverie teknike, e cila do të sigurojë standardet për garantimin e vullnetit të qytetarëve, votës së lirë.
Basha tha se mandati i qeverisë teknike duhet të ketë në qendër të objektivit të tij zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën kundër drogës, krimit e pastrimit të parave, të cilat sot mbajnë peng zgjedhjet e lira.
“Për shkak të kapjes nga krimi dhe dështimit në qeverisje, kryeministri Rama minoi procesin e dekriminalizimit, projektoi kanabizimin e vendit, nuk luftoi krimin dhe nuk ka bashkëpunuar me organizmat ligjzbatuese të vendeve partnere. Prandaj kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Interesi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij është ruajtja e pushtetit me çdo kusht. Në këto kushte, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, është shprehur Basha gjatë takimit me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Arvizu dhe ambasadorin Donald Lu.
Kreu i PD, Basha ka bërë të ditur se gjatë takimit biseda u përqendrua tek çështjet e aktualitetit politik, në kushtet kur Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL raportuan muajin e kaluar se gjatë vitit 2016 Shqipëria është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të marijuanës në Europë dhe në një vend kyç për trafikun e heroinës, pastrimin e parave të krimit dhe në një bazë rajonale për krimin e organizuar.
Kryetari i opozitës vuri në dukje se raportet e qeverisë amerikane dhe të Bashkimit Europian janë konfirmim i kriminalizimit dhe kapjes së shtetit nga krimi, që Partia Demokratike ka paralajmëruar këto vite si rrezikun kryesor që i kanoset politikës, ekonomisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Basha theksoi se gjendja dramatike që po kalon vendi është rezultat i drejtpërdrejtë i akteve të vetëdijshme të kryeministrit Rama, i cili përzgjodhi në Kuvend, në krye të bashkive dhe në poste të larta shtetërore persona me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës.

A.Shahini

Exit mobile version