Basha me banorët e Kombinatit: Bëri ministër të rindërtimit një hajdut me çizme. Rindërtimi është kthyer në një skemë vjedhjeje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me banorët dhe bizneset në Kombinat. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Basha u shpreh se, Rama riktheu në kabinet një hajdut me çizme dhe e bëri ministër të rindërtimit.

“Ju e dini se që para se të binte tërmeti, Shqipëria kishte mijëra apartamente të pashitura. Në vend që shteti t’i blinte dhe t’ua jepte banorëve në qytet që u ishin prishur banesat, në vend që t’u jepte paratë në dorë banorëve në fshat, Edi Rama mori një hajdut me çizme, e riktheu në kabinet dhe e vuri Ministër të Rindërtimit!”, tha Basha.

Kështu iu foli sot, kryetari i PD, Lulzim Basha banorëve të shtëpive të shkatërruara nga tërmeti në Kombinat, të cilët pas më shumë se një viti janë në apartamente me qera.

Qytetarë të shumtë e ndalën shefin e opozitës në rrugë duke ngritur problematika të shumta nga kriza e thellë social-ekonomike, deri tek procesi i rindërtimit nga tërmeti.

E pikërisht për këtë proces, Basha i dha garanci qytetarëve se pas 25 prillit, si kryeministër i vendit do ta përmbyllë rindlttimin e do t’i japë fund vuajtjeve të familjeve që kanë humbur banesat e tyre.

“Rindërtimi është kthyer në një skemë abuzimi, vjedhje dhe shpërdorimi. Kjo është arsyeja kryesore dhe arsyeja e vetme pse njerëzit po vuajnë. Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit. Si një mundësi për të mbush xhepat e tyre. Unë ju garantoj që qeverisja e ardhshme do të ketë ekspertë që do të përshpejtojnë dhe do t’i japin fund procesit të zvarritur të të gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti sipas kërkesave të tyre, jo sipas planeve të oligarkëve dhe të hajdutëve.

Prandaj 25 prilli është një ditë ndryshimi për të gjithë dhe është një ditë fitoreje edhe për familjet e goditura nga tërmeti. Ne do të bëjmë procesin transparent, do ta përshpejtojmë. Ne do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve”, tha Basha gjatë bisedës me qytetarë të shumtë që kishin dalë rrugëve për ta takuar.

1 14

Exit mobile version