Kryetari i PD, Lulzim Basha ka pritur kryetarin e komunës së Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut, Hekuran Duka dhe delegacionin që e shoqëronte. Basha ka theksuar se prioritet është përfundimi i Rrugës së Arbërit për të afruar fizikisht Tiranën me Dibrën e Madhe.
Lideri i opozitës shqiptare shtoi se në axhendën e bisedës ishin edhe thellimi i zhvillimit ekonomik, por edhe kulturor të trevës shqiptare
Kurse Duka deklaroi: “E konsideroj takim me vëllezërit dhe motrat shqiptare. Jemi të interesuar që politika shqiptare të jetë më aktive në vendosjen e bashkëpunimit kombëtar e ekonomik. Projektet që i përmendi kryetari janë vitale për ngjalljen e Dibrës së Madhe. Është një zonë e verbër, s’ka zhvillim të duhur ekonomik megjithëse kontributi historik është i theksuar dhe evidente. Presim nga të gjithë faktorët politikë shqiptarë t’i kthehen kësaj treve, dhe kjo ka filluar e mbaruar me rrugën e Arbërit që e shohim si shpresë të madhe. Projektet e tjera që i përmendi kryetari duhen me intensitet më të madh, që të kemi integrimin brenda shqiptarëve. E falënderoj kreun e PD, Lulzim Bashën për mikpritjen. Do jemi në kontakt edhe me parti e faktorë të tjerë politik. Jemi të interesuar që politika shqiptare të mbajë frymën lart të patriotizmit, kombëtarizmit, ekonomisë e kulturës. Këto pengesa që i kemi politike që të vijmë deri tek itnegrimi mbarëshqiptar, dhe të bëhemi faktor i rëndësishëm”.
Basha në fund shtoi: “Harrova, dua ta përmend, dua ta falënderoj për organizimin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës, një moment i rëndësishëm për parapërgatitjen e pavarësisë së Shqipërisë. Moment nderimi ëpr luftën e shqiptarëve. Falenderoj kryetarin dhe delegacionin. Veçanërisht gjeneral Ostrenin”.