Kryetari i PD, Basha ka pritur në selinë e PD ministrin e Jashtëm të Hungarisë me të cilin ka biseduar mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Basha deklaroi se pas 25 Prillit PD në qeveri garanton hapjen e Negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Basha kujtoi se në 8 vite procesi i integrimit është bllokuar.
• Basha pas takimit me ministrin e jashtëm të Hungarisë: Rama ka vënë interesat personale mbi ato kombëtare dhe ka bllokuar procesin e integrimit europian të vendit.
• Basha: Garantova mikun hungarez se pas 25 prillit nis një erë e re marrëdhëniesh me Europën dhe se Shqipëria do të jetë një vend i sigurtë për investimet e huaja.
KOMUNIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME MEDIAN PAS TAKIMIT ME MINISTRIN E JASHTËM TË HUNGARISË PÉTER SZIJJÁRTÓ
Pata kënaqësinë të mirëpres ministrin e jashtëm të Hungarisë zotin Szijarto, në një vizitë në Selinë e Partisë Demokratike, të një vendi mik, të një populli mik me të cilin ndajmë një miqësi të hershme që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe i Janosh Huniadi.
I shpreha ministrit të jashtëm Szijarto mirënjohjen e thellë timen dhe të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar për mbështetjen që Hungaria i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Për fat të keq kemi humbur 8 vite, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, s’ka bërë dot asnjë hap përpara për shkak sepse kryeministri në ikje Edi Rama ka vënë interesat e tij personale dhe politike mbi interesat e shqiptarëve dhe ka bllokuar integrimin europian të vendit.
E garantova se pas 25 Prillit do të kemi një erë të re të bashkëpunimit me Hungarinë dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke nisur me plotësimin e të gjitha kushteve që do të çojnë në hapjen e negociatave. Ishte pikërisht dështime i këtyre 8 viteve të Edi Ramës që nga 3 u bën 5, 9 dhe pastaj 15 kushte dhe do të jetë ndryshimi i 25 Prillit që do të bëjë të mundur zhbllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë.
Procesi i anëtarësimit duke filluar me hapjen e negociatave do të ndihmojë po kështu në përmirësimin e klimës së biznesit dhe besimit të investitorëve të huaj. Kjo do të thotë më shumë garanci për investimet e huaja, më shumë garanci për punësim dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Këto janë çështjet që ndava me ministrin e jashtëm hungarez dhe e garantova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të bëjnë gjithçka që pas 25 prillit edhe procesi i Integrimit Europian do të jetë një sukses siç arritëm sukseset e mëparshme për shqiptarët, duke futur vendin në NATO, duke hequr vizat për qytetarët shqiptarë, duke nisur me sukses procesin e anëtarësimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian, na takon që së bashku me gjithë shqiptarët pas 25 prillit të hapim negociatat, të përmirësojmë klimën e biznesit, të sjellim investimet europiane, natyrisht është hungareze në Shqipëri në funksion të punësimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve.