Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë mbrëmje një takim me strukturat drejtuese të degës 7 në Tiranë, për vijimin e aksionit opozitar, për përmbylljen e evidentimit të kandidaturave për deputet, shpalosjen e programit qeverisës dhe konsolidimin e aleancave parazgjedhore për garën elektorale të vitit të ardhshëm.
“Ne nuk do të mbetemi peng të betejave ligjore ka deklaruar Lulzim Basha, vendimi për rekurs është i pakthyeshëm dhe do të dorëzohet sapo të zbardhet nga Gjykata e Apelit, të cilës i kemi kërkuar të zbatojë pa vonesë ligjin, në të kundërt do t’i drejtohemi të gjitha instancave përkatëse KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut, sikundër do të informojmë partnerët strategjikë për këtë skandal të rradhës të Gjykatës së Apelit. Por ne nuk do të mbetemi nën hyqmin e këtij procesi që do të ndiqet nga juristët tanë, por do të vijojmë shpalosejn e alternativës, evidentimin e kandidatëve dhe përmbylljen e koalicionit parazgjedhor me të gjitha forcat politike që janë në një gjatësi vale me ne. Që mbështesin pa kushte SPAK, që kërkojnë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe mbylljen e kapitullit të mundimshëm të tranzicionit, që ka varfëruar dhe shpopulluar Shqipërin” – tha Basha.
Ndër të tjera, kreu i Demokratëve Euroatlantikë tha se tashmë qytetarët e kanë kuputar pazarin mes Ramës dhe Berishës, i cili u ekspozua edhe në seancën parlamentare, ku kreu i SPAK vërtetoi akuzat e ngritura nga Basha se amnistia penale i shërbeu të korruptuarve të Edi Ramës, dhe me votën e Sali Berishës mbajti në burg protestuesit që u ngritën kundër padrejtësive të qeverisë.
Basha më tej shton se ky pazar ishte vetëm hapi i parë, që më pas vijoi me pengimin e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe vendimin skandaloz për vulën, që sipas tij ka në thelb një ujdi që i siguron pushtetin dhe 4 vite të tjera Ramës, ndërsa Berishës i lejon mbajtjen në këmbë të teatrit opozitar.
“Ne qëndrojmë përballë këtij pazari kundër interesit të shqiptarëve. Asgjë nuk na lidh me Ramën dhe Berishën, prandaj nuk do të lejojmë që alternativa e vetme në zgjedhjet e ardhshme të jetë oferta e tangos me refrenin se kush nga ata është më pak i korruptuar, Rama apo Berisha. Bashkimi i të gjitha flukseve opozitare, kundër kësaj Katovice të re, është prioritet absolut përpara zgjedhjeve të ardhshme, ku shqiptarët do të kenë mundësi të zgjedhin dinosaurët e tranzicionit, apo një rrugë të re, me një politik ndryshe, që ka në fokus hallet e qytetarëve, që lufton korrupsionin dhe siguron një jetë më të mirë për familjet shqiptare” – vijoi Basha.