Basha me tifozët kuq e zi mbështetje kombëtares

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë dhe tifozët e saj kuqezi, pavarësisht humbjes së pësuar nga kombëtarja kuqezi. Këto komente Basha i ka bërë në një postim në Facebook, pas ndeshjes të zhvilluar midis kombëtares së futbollit të Shqipërisë me atë të Zvicrës.
“Me tifozët kuqezi, çdo ditë e më shumë në mbështetje të Shqipërisë në Europë dhe Shqipërisë si Europa…
Përpara SHQIPE!
Faleminderit FRPD për fanellën më të bukur në botë!”, shprehet Basha në postimin e tij.

Berisha: Edi Drama ters, antifat i kombëtares

Ish-Kryeministri Berisha ka komentuar humbjen e kombëtares tonë me Zvicrën. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se tersi i humbjes së kombëtares ishte Edi Drama në stadium. “Loja e kuqezinjve dinjitoze. E grabitën ndeshjen me ndihmën e arbitrit. Prania e Edi Dramës në stadium duhet të ndalohet deri në fund të kampionatit. Është ters, antifat! -Berisha deri tani superportier!”, shkruan Berisha. Berisha ka vlerësuar lojën e kombëtares tonë, pavarësisht pësimit të një goli. “Pavarësisht nga goli, kuqezinjtë dominuan lojën. Ndëshkim i qëllimshëm i turpshëm i Canës! Sb”, shkruan Berisha.

UEFA: Shqipëria humbi në fushë, fitoi në stadium

Edhe pse ndeshja Shqipëri-Zvicër përfundoi me fitore të Zvicrës, UEFA ka bërë një koment fantastik për Shqipërinë. Ja çfarë shkruan ajo: “Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mund të ketë humbur ndeshjen e saj të parë në EURO 2016, por fansat e saj nuk ndaluan kurrë së mbështeturi”, është komenti i UEFA-s për Shqipërinë dhe tifozët e kombëtares tonë.

Mediat e huaja: Krenaria shqiptare nuk mjaftoi ndaj Zvicrës

“Krenaria shqiptare nuk mjaftoi ndaj Zvicrës”. Titulli i përdorur nga gazeta spanjolle “Marca” ishte simbolika më e përshtatshme për debutimin historik të kombëtares kuqezi në një turne madhor. E përditshmja madrilene theksonte se goli i shpejt i pësuar dhe kartoni i kuq i Lorik Canës nuk mjaftuan që Shqipëria të dorëzohej, ndërsa rrjeta e Schar në minutën e 5-të vendosi një sfidë emocionuese.
Spanjollja tjetër, “AS”, e cilësoi portierin “Etrit Berisha fajtor dhe njëkohësisht hero”, për faktin se gardiani gaboi në rastin e golit vendimtar të zviceranëve, por shpëtoi portën e tij në disa raste, duke mbajtur në lojë Shqipërinë, që në fund edhe mund të kishte barazuar.
Sipas italianes “Gazzetta dello Sport”, nga gafa e Berishës përfitoi Schar që shënoi, ndërsa debutimi i Shqipërisë dhe De Biasit ishte i pafat, prej gabimit në momentin e golit, kartonit të kuq të Canës në minutën e 37-të dhe golit të barazimit të mundshëm 1-1 të shpërdoruar nga Shkëlzen Gashi 3 minuta përpara fundit të kohës së rregullt.
Duke iu referuar lojtarëve kuqezi, “Gazzetta” theksonte se, “hero mund të jesh edhe nëse humbet”, duke e vendosur theksin te një sfidë tërheqëse, nga dueli i vëllezërve Xhaka te shqiptarët e rritur në Zvicër, shqiptarët që përfaqësojnë skuadrën helvete, por pushtimin paqësor të mijëra tifozëve në Lens. Përveçse theksoi se gabimet ishin fatale për të besuarit e De Biasit, e përditshmja më e madhe sportive në Itali shkruante, “Barazimi mund të shpaguante kurajën dhe zemrën e shqiptarëve, që në aspektin teknik ishin më inferiorë se rivalët, por të pakrahasueshëm në gjithçka tjetër”, me tifozët që në fund duartrokitën heronjtë e tyre.
Sipas “La Repubblica”: “Zvicra feston, Schar thyen Shqipërinë”, me gazetën që theksoi se ndeshja e parë e kuqezinjve në Kampionatin Europian ishte një provë krenarie.
Për zviceranët, fitorja e parë në sfidën hapëse të Europianit, prej pjesëmarrjes që nisën në vitin 1996 nuk ishte aspak e lehtë. Gazeta “Blick” theksonte se për të festuar 3 pikët ndaj Shqipërisë, u vunë në provë nervat e tifozëve zviceranë, për një përballje që edhe mund të mos ishte fituar.
Për francezen “L’Equipe”, kundërshtarët e radhës së Shqipërisë në Grupin A, “Zvicra bëri atë që duhej”, duke fituar ndeshjen e parë në Euro 2016.
Rumunët e “ProSport” transmetonin thjesht se Shqipëria u mposht 1-0 nga Zvicra, citonte fjalë të trajnerit De Biasi, sipas të cilit Zvicra dhe Rumania do të luftojnë për vendin e dytë, por Shqipëria nuk dorëzohet.
“Daily Mail” shkruante për startin fitues të zviceranëve, përballë Shqipërisë me 10 lojtarë, ndërsa me Granit Xhakën që u shpall “Lojtari i Ndeshjes”, tifozët e Arsenalit kuptuan kualitetin e lojtarit që kushtoi plot 45 milionë euro. Gazeta britanike e vendosi theksin edhe te fakti se megjithë distancën prej më tepër se 800 kilometra ndërmjet dy vendeve, Shqipëri-Zvicër ishte derbi i parë në Euro 2016 falë lidhjeve të pazakonta etnike ndërmjet dy skuadrave.
Në fund, edhe UEFA konfirmoi vështirësitë e helvetëve për suksesin ndaj kuqezinjve. “Zvicra rezistoi përballë Shqipërisë me 10 lojtarë”, ishte titulli i përdorur nga faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit.

Exit mobile version