Kryetari i PD, Basha deklaroi se paratë e bllokuara në makinën Toyota Yaris i përkasin një prej bandave më të rrezikshme të drogës së Elbasanit. Basha ka sqaruar se roli i Taulant Ballës ka qenë ai i garantit të këtyre parave të drogës. Basha tha se reagimi i policisë ka ardhur pasi ka qenë nën presionin e fortë të një prej vendeve partnere.
“Policia shqiptare, theksoi kryetari i opozitës, ka qënë nën presionin e partnerëve për të vepruar. Kemi një ish-Ministër të Brendshëm që është akuzuar; një tjetër që përpiqet të justifikojë nga mëngjesi në darkë vëllanë e tij trafikant dhe tani kemi Sekretarin e Përgjithshëm të PS, kryetarin e Grupit të PS që përpiqet të pastrojë paratë e drogës.
1 milionë e 500 mijëe ka qënë pakti dhe marrëveshja është garantuar nga Taulant Balla. Ky ka hyrë garant, këtë mund t’ju them sot dhe do ta verifikojnë faktet dhe koha”, tha Basha.
“Paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës aktive kryesisht në Elbasan por gjithë Shqipërinë. E dyta, Taulant Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave pa problem në Shqipëri, së treti policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar”, u shpreh Basha.
I pyetur për deklaratat e Ballës, Basha tha se, nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e një personi që duhet të ishte para drejtësisë. “Pyetja është ku shkojnë këto para?
Çfarë i lidh Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Taulant Ballën, Erion Veliajn përveç Ramës? Paratë për të ndërtuar kullat dhe pastruar paratë e krimit. Kjo është arsyeja pse sot BE pavarësisht punës që kemi bërë ne si opozitë vendos që Shqipëria s’i ka plotësuar kushtet”, u shpreh Basha.
Çfarë deklaroi Basha në Parlament
“Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë (duke treguar me gisht nga Balla, qe po qeshte bashke me Ramen) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”, tha Basha në parlament.
Pyetje-përgjigjet
Pyetje: Pas ngjarjes së djeshme janë kuriozë të gjithë të dinë si e mësuat për Toyota-n me një shumë, shumë më të madhe sesa e thatë ju në Parlament?
Basha: Mund t’ju them vetëm tre gjëra.
E para, që Paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës, aktive kryesisht në zonën e Elbasanit, por edhe të gjithë Shqipërisë.
E dyta, Taulant Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave pa problem në Shqipëri.
E treta, policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar. Është një nga vendet partnere, i cili është skeptik përsa i përket kushteve të Shqipërisë për integrimin në veçanti kundër krimit dhe korrupsionit.
Pyetje: Gjermania apo Belgjika?
Basha: Kaq mund t’ju them. Tre gjëra thashë që do t’ju them dhe jua thashë.
Pyetje: Zoti Basha po shkohet drejt idesë së bojkotit parlamentar nga ana e opozitës?
Basha: Ç’lidhje ka kjo me Toyota Yaris dhe me drogën e Taulant Ballës?
Pyetje: Nisur nga letra më e fundit e kryetarëve të grupeve të opozitës.
Basha: Të rrimë pak tek droga dhe krimi. E di që nuk është temë favorite as e Partisë Socialiste, as e ndërtuesve e as e disa mediave.
Pyetje: Është dekonspiruar?
Basha: Po, sigurisht, është dekonspiruar plani i Taulant Ballës dhe i strukturave brenda Policisë së Shtetit dhe Parlamentit shqiptar për të çuar deri në fund këtë bashkëpunim me një nga bandat kryesore të drogës së Elbasanit dhe për të futur miliona euro të drogës në Shqipëri. Kjo është dekonspiruar pa pikë dyshimi. S’besoj se ju vjen keq, sigurisht që jo. Çështja është fare e thjeshtë.
Kemi një Ministër të Brendshëm, kokën e trafikut të drogës, që del e shëtit me kalë, sepse e ka liruar Edi Rama, kryeprokurori, kryegjyqtari aktual.
Kemi Ministrin tjetër të Brendshëm që përpiqet nga mëngjesi deri në darkë të justifikojë vëllain e tij trafikant droge.
Tani, kemi kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Sekretarin e Partisë Socialiste, i cili merret me pastrimin e parave të drogës.
E kam thënë dhe dua ta përsëris. Nuk jemi më në fazën e kanabisit. Kanabisin ia kanë lënë gjynahqarëve. Kanë kaluar tek kokaina dhe heroina. Tani kanë kaluar tek pastrimi i parave të pista. Ja çfarë ndodh. 1 milionë e 500 mijë euro ka qenë pakti. Të shikojmë sesa është komunikata zyrtare e policisë dhe marrëveshja është garantuar nga Taulant Balla. Ky ka hyrë garant. Këtë mund t’ju them unë sot, sepse jam i sigurtë që këtë pastaj e vërtetojnë faktet dhe koha, siç i ka vërtetuar deri më sot, të gjitha siç ju kam thënë.
Pyetje: Taulant Balla ju tha atë ditë që nuk…
Basha: Taulant Ballën mund ta pyesni vetë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e një personi që sot duhet të ishte para drejtësisë për shumë çështje dhe jo vetëm për këtë. Por çështja më e thjeshtë është kjo. Ku do të shkojnë këto para? Se gjërat lidhen. Çfarë e lidh Sajmir Tahirin, Fatmir Xhafën, Talant Ballën, Erjon Veliajn, çfarë i lidh këta të katërt, përveç Edi Ramës, bosit të bosëve, çfarë i lidh? I lidh trafiku i drogës, pastrimi i parave, ndërtimi i kullave
E gjithë kjo që bëhet, edhe zallamahia që bëhetpër të rrëmbyer tokën e teatrit për të ndërtuar kullat, ato kulla do të ndërtohen për të pastruar këto para të krimit.
Kjo është gjëma që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse këtë javë Bashkimi Europian, përkundër dëshirës së 97% të shqiptarëve, përkundër punës që ne kemi bërë si opozitë, prapë se prapë vendos që Shqipëria s’i ka plotësuar kushtet. Sepse kushti themelor është të ndërtojë një shtet të së drejtës dhe jo një shtet të drogës, jo një narkoshtet. Kushti themelor është të ndërtojë një ekonomi me shanse për të gjithë dhe jo një ekonomi të pastrimit të parave të pista të drogës, ku pesë banda kriminale dhe pesë oligarkë kontrollojnë të gjithë ekonominë. Biznesi i vogël dhe i mesëm është në kolaps, profesionistët janë në arrati, mediat janë të kapura, rinia është e pashpresë. Ky është treguesi.
Unë merrem me anën politike. Unë e kuptoj dëshirën që unë të merrem me anën policore dhe të prokurorisë, se këtu policia dhe prokuroria kanë përfunduar aty ku kanë përfunduar, por këtë nuk mund ta bëj unë. Këtë do ta bëjë do ta bëjë shteti që do ta ndërtojmë bashkë me shqiptarët nesër.
Sot merrem me anën politike dhe ana politike është kjo: kanë kaluar nga kanabisi i Sajmir Tahirit, tek kokaina e heroina e Xhafajt me shokë, tani tek pastrimi i parave të pista të drogës nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist. Ku do të shkojnë këto para? Këtë pyetje duhet të bëni sot. Ku do të shkojnë këto para, përveçse tek kullat e Erjon Velisë? Ku tjetër do të shkojnë këto para të drogës? Sa biznese do të shkatërrojnë, sa vende pune do të mbyllin? Sa viktima do të shkaktojnë? Sa shqiptarë do të largojnë nga vendi? Për sa kohë do t’ia mbajnë të mbyllura dyert e Europës? Këto janë pyetje që duhet të na mundojnë dhe për të cilat duhet të gjejmë zgjidhje dhe përgjigje.