Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndërhyrë ‘live’ në emisionin “Të paekspozuarit” në News24 duke folur për akuzat ndaj Vangjush Dakos por edhe personave të tjerë, ministra apo deputetë të përfshirë sipas tij në blerjen e votës, duke përmendur Dibrën.
Ndaj Basha e quajti parlamentin dhe qeverinë ilegjitime sepse sipas tij nuk kanë ardhur nga vullneti i popullit por nga blerja e votës.
“Çështja që shtrohet sot në debat është shumë më e madhe se e Dakos apo e kryebashkikëve apo deputetëve të tjerë të Ramës që siç i kemi denoncuar dhe ne, si në zgjedhjet e Dibrës ku figurojnë dy ministra e deputetë në blerjen e votave, Gjiknuri apo Ulsi Manja të gjitha këto nuk janë simptoma të një problemi që në Shqipëri ka ardhur duke u rënduar. Të një krimi siç është krimi elektoral. Të gjitha provat ligjore të mbledhura në procesin hetimor të nisur nga prokuroria ku gjatë përgjimit të bandave kriminale siç është banda e Avdyljave apo Ndoka kanë rezultuar dhjetëra orë bisedime telefonike dhe mijëra sms të shkëmbyera mes trafikantëve, banditëve me politikanë përfshirë Edi Ramën.
Duke nisur nga Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri tek Vangjush Dako një politikan bandit që e ka kthyer Durrësin në një zonë të lirë për krimin e deri tek shtrirja kapilare e këtij problemi nga Tropoja në Sarandë. Sot kemi një pushtet ilegjitim, një parlament ilegjitim që ndodhen aty jo për shkak të votës së qytetarëve”, deklaroi Basha në News24.
Basha është pyetur për përgjimet mes kreut të bashkisë së Durrësit Vangjush Dakos mes anëtarë të bandës së Avdylajve si dhe deklaratat e tij të bëra para një viti se largimi i ish kreut të SHISH Visho Ajazi Lika u largua për lidhje me këtë aferë
“Unë nuk vendos në rrezik jetën e njerëzve për burimet e mija. Denoncimet dhe informacionet i mbledh me mënyra të ndryshme dhe i bëj publike më pas vlerësimit. Pak rëndësi ka nëse kjo ka qenë pika e fundit e gotës që ka çuar në largimin e ish kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika.
Sot Edi Rama nuk ka asnjë hallkë të shtetit jashtë kontrollit të tij. Kjo është alarmante sepse kontrollon çdo gjë me dorë të hekurt. Të gjitha këto tregojnë se Kuvendi është shndërruar në një dele të bindur. Kamikazja Donika Prela po shkatërron dosjet hetimore”, tha Basha.