Basha në Athinë, nxitje marrëdhënieve dy palëshe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një tur takimesh në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Pas Gjermanisë dhe Italisë, Basha është pritur në Greqi nga drejtues të lartë politike. Basha u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Nea Demokracia,  Kyriakos Mitsotakis. Më pas, ai zhvilloi një takim me Grupin Parlamentar të Nea Demokracia dhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë, Kostas Duzinks. Kryetari i Partisë Demokratike u prit dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PASOK,  Andrea Loverdos.
Basha vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie, të cilat ndikojnë edhe në lehtësitë dhe përmirësimin e kushteve të bashkëkombasve tanë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek. Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin që ekziston në marrëdhëniet shqiptaro-greke, Basha theksoi se është e rëndësishme që të trajtohen në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të gjitha çështjet e mbartura dhe të zgjidhen duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian. Në këtë kuadër, Basha shtroi anulimin e ligjit të luftës, si një çështje zgjidhja e të cilës do të kishte një impakt shumëplanësh pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe.
Në takimet e zhvilluara me drejtues të partive politike dhe me deputetë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit grek, Basha ka kërkuar mbështetjen e tyre në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Basha u takua dhe me kryesinë e Partisë Demokratike të Greqisë.

Exit mobile version