Basha në ceremoninë mortore të Hilmi Haradinajt

Kryetari i PD e Opozitës, Lulzim Basha mori pjesë në ditën e sotme në Ceremonitë e Përcjelljes Mortore të Hilmi Haradinajt, baba i Ramush Haradinajt, i dy heronjve e tre gjeneralëve të Kosovës. Ai shoqërohej nga nënkryetari i PD e nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Edi Paloka dhe kuadro e deputetë të PD e të Djathtës Shqiptare.
Z. Lulzim Basha, kryetari i Opozitës Shqiptare, ka bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit Hilmi Haradinaj, te Kulla Haradinaj në Gllogjan të Deçanit, mori pjesë në Mbledhjen Komemorative dhe në varrezat e Kompleksit Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i shprehu falenderimet e tij kryetarit të PD e Opozitës, Lulzim Basha, për nderin që iu bënte me ardhjen e pjesmarrjen e tij në Ceremonitë e Varrimit të babës së tyre, Hilmi Haradinaj.
Me nderime të larta, i është dhënë lamtumira Hilmi Haradinajt.
Ai është varrosur në varrezat e Kompleksit Memorial ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gllogjan, vendlindjen e tij.
Në varrimin e tij morën pjesë shumë persona, nga vende të ndryshme.
Me këtë rast edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndau dekoratën për 10-vjetorin e pavarësisë për të ndjerin Hilmi Haradinaj.
Ai tha se me vdekjen Hilmi Haradinajt ne mbetëm pa një luftëtar dhe veteran të jashtëzakonshëm të lirisë të Kosovës.

“Bacin Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të UÇK-së, në vitin 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha njohur Luanin. Ju humbët një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm. Ne mbetëm pa një njeri me zemër të madhe. Ai nuk u dorëzua edhe përballë sfidave. Ai përballoi padrejtësitë e burgosjes së bijve të tij. Ishte njeri me vlera, burrë i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë shqiptarisë”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se me humbjen e të atit ndjejnë dhimbje të gjithë bashkëluftëtarët.
“Sot e kemi të vështirë familja, e kemi të vështirë bashkëluftëtarët. Ndarja nga baba ynë ka shumë porosi dhe shumë ndjenja. Por ajo që është me rëndësi është se njerëzit që besojnë në të drejtën e tyre krijojnë vlera të reja”, u shpreh ai.
Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Hilmi Haradinajt, tha se asnjëherë nuk do të ndahet nga ai, porse do të përkushtohet që ta çojë në fund amanetin e tij.
“Sot vij për të ndarë respektin dhe dhimbjen e thellë me familjen Haradinaj. Por nuk vij të ndahem me Hilmi Haradinajn. Vij këtu me përgjegjësinë e madhe për ta çuar deri në fund amanetin e tij të qartë”, u shpreh Basha.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Hilmi Haradinaj do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar, si një njeri fjalëpak dhe shumë i madh.

Exit mobile version