Basha në Durrës: OSHE ju zbraz xhepat për të mbushur xhepat e Juel Çelës dhe bandës së tij që do ta shporrim më 25 prill

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me përfaqësues të komuniteteve të ardhura në Durrës, ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Në bisedën që patën me Bashën, ata ngritën shqetësime të ndryshme që kanë të bëjnë me infrastrukturën e zonave ku banojnë, pagat e mësuesve dhe mungesën e personelit shëndetësor në spitalin e Durrësit.

“Kemi ndjerë mungesën e shtetit. Këtu është bërë vetëm kjo rruga në kohën e Partisë Demokratike nga doktor Sali Berisha. Janë dhe disa rrugica të tjera të vogla të cilat kanë qenë rrugë elektorale por edhe ato rrugë që janë mbaruar janë pa elektrifikim, pa gjelbërim që ne njëkohësisht paguajmë taksën e edhe të gjelbërimit edhe të ndriçimit.” – u shpreh një nga qytetarët.

“Jam Fatbardha Gjoka, vij nga një qytet i vogël por me një histori goxha të vjetër, nga Mirëdita. Unë me profesion jam mësuese. Kam normalisht zhgënjime dhe shqetësime pa fund për arsimin. Një shqetësim i madh ose zhgënjim i këtyre 8 viteve është fut mësues normalisht joprofesional. Normalisht militant, të cilët e shkatërruan dhe e çuan në fund arsimin. Rroga e mësuesit për 8 vite vetëm pesë mijë lekë të vjetra është ngritur. Vetëm 5 mijë lekë të vjetra, si ta përballojë unë?! Pra këto janë shqetësime dhe në qoftë se duhet të vihet dorë në një fushë, normalisht është arsimi. Pastaj dhe një diçka tjetër, një shqetësim, është të vihet në vend ai emri i bukur, emri i bukur mësues sepse akoma i ka humbur të gjitha vlerat”, tha mësuesja Fatbardha Gjoka.

“Unë quhem Fitim Shahini nga Dibra, me origjinë. I diplomuar dhe i specializuar në Bukuresht dhe prej 16 vitesh, mjek specialist, kirurg, pranë spitalit të Durrësit. Plaga më e madhe ose ndër plagët më të mëdhaja të mjekësisë dhe të shëndetësisë në të gjithë Shqipërinë por edhe në spitalin tonë, ngelet largimi masiv i mjekëve dhe personelit të mesëm shëndetësor nga Shqipëria. Një arsye shumë e rëndësishme për mendimin tim i largimit të personelit të mesëm është vështirësia për të depërtuar në sistemin shëndetësor. Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të punësohesh si infermierë sot në sistem. Ajo që më shqetëson mua personalisht si mjek është mungesa e disa specialiteteve që është neurokirurgjia, kardiokirurgjia, Kirurgjia infantile, më shpejt nuk kemi toksikologji, pra specialistë të toksikologjisë e tjerë e tjerë, ka disa mungesa e them këtë sepse vetë qendra kombëtare e traumës shpesh herë me të drejtë ankohet për transportimin e shumë të sëmurëve, për mungesën e një neurokirurgu po themi në spitalin tonë. Kështu që në të ardhmen ndoshta mund të gjendet ndonjë zgjidhje ose mund të parashikohet në program”,u shpreh mjeku, Fitim Shahini.

Dështimi i qeverisë në të gjithë sektorët e shtetit, Basha tha se shihet në fushatën që po bën kryeministri në ikje duke u kthyer në një satelit i kreut të opozitës. Ai u zotua se qeveria e drejtuar prej tij do zbatoj një plan urbanistik të mirëfilltë në shumë zona të qyteteve kryesore të Shqipërisë.

“Taksat janë rritur, çmimet janë rritur dhe paratë janë përdorur për luks apo për fasada. Ndaj në planin tonë të zhvillimit të infrastrukturës në udhëhiqemi nga dy parime e para leverdia për qytetarët, pra të parat janë rrugët e qyteteve, urbanizimi i zonave informale, ujësjellësit, kanalizimet dhe së dyti leverdia për zhvillimin ekonomik. 8 vjet ka qeverisur, i ka pasur të gjitha pushtetet. Me çfarë vjen para jush? Asgjë! Asnjë përgjigje nuk ka dhe merret gjithë ditën vetëm me opozitën, vetëm me mua. Prandaj ia kam thënë dhe ia përsëris: kjo fushatë do të mbahet mend si fushata ku kryeministri në ikje u kthye në satelit të kandidatit për kryeministër. Unë bëj fushatë ai vjen vërdallë meje. Do të jetë një kazus për t’u studiuar dhe për t’u mbajtur mend, fushata e 2021, ku kryeministri në ikje, u kthye në satelit të kandidatit për kryeministër.

Urbanizimi është po aq i rëndësishëm. Kur vjen puna tek urbanizimi, e kemi fjalën, jo thjeshtë për rrugë, e kemi fjalën edhe për ujin edhe për kanalizimet edhe për ndriçimin. Për fat të keq, shuma e para që janë derdhur për fasada gjatë këtyre 8 viteve do të kishte dalë e tepruar, për të urbanizuar 2 herë jo vetëm këtë zonë, por të gjitha zonat e mëdha informale në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë”, tha Basha.

Ndërsa sa i përket mësuesve dhe mjekëve, Basha tha se dyfishimi i pagave për mësuesit dhe ndalimi i largimit të mjekëve nga vendi, janë dy prioritete parësore të qeverisë së ardhshme.

“Si në disa fusha të tjera, e kemi të thjeshtë dhe të qartë t’jua themi, se vetë e mbani mend kur ne premtuam dyfishimin e pagave të mësuesve dhe pala tjetër tha nuk bëhet. Nuk bëhet sepse ata nuk e kishin bërë, nuk bëhet sepse ata nuk duan ta bëjnë, siç kishin 8 vjet kohë dhe nuk u kujtuan për mësuesit deri në janar, deri para fushate. Ndërkohë që, ne do të vazhdojmë me rritjen e pagave të mësuesve. Atëherë arritëm nivelin më të lartë në rajon, sot, mësuesi shqiptar është më i pa paguari në rajon. Ndaj, politika e rritjes së pagave të arsimtarëve është pjesë kryesore e politikës së shpenzimeve publike të qeverisë së ardhshme, Partisë Demokratike

Ndalimi i largimit të mjekëve është një prioritet absolut. Me këto ritme nëse vazhdojnë ne do të kemi më pak mjekë për frymë se ç’kanë vendet më të varfëria të Afrikës. Ndaj masa e parë siç e përmendët dhe ju do të jetë rritja e pagave për mjekët, për mjekët specializant dhe për infermierët. Kjo është një faturë e përballueshme dhe e llogaritur në buxhetin e ardhshëm të qeverisë së ardhshme pas 25 prillit. Por siç e dini ju nuk janë vetëm pagat që i motivojnë mjekët të largohen janë dhe kushtet e punës. E kjo do të kërkoj një investim në të gjithë infrastrukturën e shëndetit publik por edhe një reformë që pas këtyre investimeve, këto institucione të shëndetit publik në veçanti spitalet të vet administrohen në mënyrë që të japin mjekëve mundësinë e shfrytëzimit të tyre individual të specializimit por edhe të krijojë një konkurrencë të shëndoshë midis këtyre institucioneve.” – u shpreh Basha.

Pasi mbylli takimin me përfaqësuesit e komuniteteve, Basha përshëndeti qindra qytetarë që ishin mbledhur pranë vendit ku zhvillohej takimi.

“Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj dhe të reja, djem dhe vajza, banore dhe banorë të Durrësit dhe Durrësit të ri, faleminderit për mbështetjen tuaj! Për më shumë se një orë kam bashkëbiseduar me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të Durrësit të ri, brenda këtu, ja ku janë disa prej tyre. Dhe prej më shumë se një orë bashkëbisedim nuk na është ndarë brohoritja dhe entuziazmi juaj! Shprehja më e qartë e padurimit të Durrësit dhe të durrsakëve për ndryshimin që po vjen më 25 prill për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.

Vëllezër dhe motra, unë e di se problemet e mëdha që kanë pllakosur në familjet tuaja, janë shumëfishuar për 8 vite, se kriza e këtyre 8 viteve është rënduar nga tërmeti dhe pandemia dhe se shteti nuk ka qenë asnjë ditë në krahun tuaj, por gjithmonë kundër jush! Se kryeministri në ikje, kurrë nuk ka parë mundësinë për t’ju ndihmuar dhe për t’u trajtuar si qytetarë dinjitoz e taksapagues të ndershëm të këtij vendi. Vuajtja juaj, vuajtjet tuaja, vuajtjet dhe sfidat e baballarëve dhe nënave, shqetësimi për fëmijët tuaj ka qenë motivimi sa herë kam qenë në shtëpitë tuaja, sa herë kam biseduar me sipërmarrjen dhe biznesin e vogël apo fermerët e kësaj zone. Më ka motivuar dhe na ka motivuar për një program realist, zgjidhjesh, e për të na dhënë ne qeverisjen e re që do të vijë me votën e shqiptarëve më 25 prill!

Nuk dua të zgjatem, sepse shëndeti është mbi të gjitha dhe dua t’ju kërkoj të vendosim maskat dhe të mbajmë distancën. Dua të ndalem në një aspekt; përtej problemeve që kemi diskutuar me përfaqësuesit tuaj sot në takimin që sapo përmbyllëm, që kanë të bëjnë me angazhimin tonë për të përfunduar një borxh që kemi ndaj jush, një premtim të pa mbajtur për 8 vite të Edi Ramës, por që faji është i joni që nuk duhet të ja kishim lënë kurrë atij në dorë, është përmbyllja e procesit të legalizimeve për të gjithë familjet shqiptare pa asnjë përjashtim! Por edhe për të ndërmarrë një problem që u hypur mbi kokë. Ato marrëveshjet e famshme, ato marrëveshjet që ju bëjnë dhe ju detyrojnë të paguani 25-28 mijë e më shumë lekë në muaj, një organizate që quhet OSSHE dhe në vend që t’ju sjellë dritë, ju ka sjellë errësirë, ju ka sjellë stres, ju ka sjellë depresion dhe j’ua zbraz xhepat për të mbushur xhepat e Juel Çelës dhe bandës së tij që do ta shporrim më 25 prill.

110 milionë euro gjoba që Edi Rama do t’i bjerë në qafë buxhetit të shtetit. Nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit por ne do t’i konfiskojmë të gjithë pasurinë e pushtetarëve të korruptuar dhe të ortakëve të tyre, sepse paratë e taksave të shqiptarëve nuk do të shkojnë për të paguar tekat e pushtetarëve të korruptuar. Përkundrazi, ne do të bëjmë gjithçka që kjo faturë që rëndon mbi 335 mijë familjet shqiptare, e kam fjalën për atë marrëveshje. Një faturë e padrejtë, një faturë që paguan luksin e qeveritarëve dhe ato lekë pastaj t’ua mbledhin muaj për muaj tani e tetë vite. Vijnë si hajdutët për t’ju blerë vota. I thoni largohuni, ikni, shporruni. Dhe unë ju garantoj se në sektorin energjitik, amnistia e parë që do të bëjmë është anulimi i këtyre marrëveshjeve dhe heqja së bashku e kësaj barre të rëndë ndaj këtyre 335 mijë familjeve shqiptare. Zoti ju bekoftë ju, Durrësin dhe Shqipërinë dhe mbarë shqiptarëve dhe me 25 prill masivisht votën për numrin 9 dhe Partinë Demokratike. Bashkë për ndryshimin! Shqipëria Fiton!”, tha Basha.

4d

Artikulli paraprakBasha: 25 prilli është një vendim jo për Bashën apo për Ramën, por në çfarë drejtimi do të ecim
Artikulli tjetërU ekzekutua me 40 plumba, kush është Bardhok Pllanaj