Basha nga Gjirokastra: Republika e vjetër do shembet

Kryetari i PD, Lulzim Basha shprehu bindjen dje se shqiptarët e bashkuar do të shembin Republikën e vjetër me votën e lirë. Basha ka prezantuar dje listën e kandidatëve të PD në Gjirokastër, që udhëhiqet nga Tritan Shehu dhe kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko në vend të dytë, që të dy profesorë. “Nderi dhe kënaqësia është e imja që Gjirokastra udhëheq me dy profesorë, me profesor doktor Tritan Shehun dhe Landin. Landi është profesor Roland Bejko, i shkollës më prestigjioze të Parisit, shkolla që nxjerr presidentët francezë. Ja ku e keni birin tuaj dhe sot vjen t’ju përfaqësojë në Parlament gjirokastritë, Roland Bejko”, theksoi kryedemokrati. Lulzim Basha akuzoi gjithashtu Edi Ramën se ka varfëruar vendin dhe nuk i intereson gjendja ekonomike e familjeve shqiptare. Ai deklaroi se askujt nuk i interesojnë fasadat dhe palmat ku ekonomia e qytetarëve është në rënie dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. “E bashkuar është opozita, e përçarë është qeveria e tepsisë. Ne duam ndryshimin, ata duan ta mbajnë kështu siç janë. Unë kam qenë këtu disa herë këtë vit. Ekonomia katastrofë, rrogat copë-copë, shëndetësia në kolaps, arsimi në kaos, universiteti në mjerim. Por Edi Rama thotë punët janë mirë, por populli nuk e kupton. Çfarë është kjo, shaka? Se po të jetë shaka është shaka pa kripë. E vërteta është ndryshe, gjendja e vendit është katastrofë. Edi Rama jeton i rrethuar në flluskën e tij të palmave, vizatimeve. Sot na tha se s’ka asgjë të keqe me palma, shatërvane. Dhe unë jam dakord. Por të gjitha këto një njeriu të përgjegjshëm i ngelen në fyt kur sheh nënat që s’kanë para t’u blejnë fëmijëve këpucë, kur sheh një spital të shndërruar në torturë të vërtetë për pacientët. Shqipëria janë njerëzit, Gjirokastra janë njerëzit. As palmat, as pllakat, as fasadat, Shqipëria janë njerëzit, Gjirokastra janë gjirokastritët. Për këta duhet të punojë. 600 milionë euro për fasada, këtë vendos Edi Rama. Rrogat për herë të parë u ulën si fuqi blerëse, ta thotë INSTAT-i yt që vetë e kontrollon. Ti Edi Rama ke humbur çdo lidhje me realitetin. Shqipërinë e ke mbushur cep më cep me drogë, me përjashtim të Lazaratit. E hoqi nga bjeshkët e Lazaratit dhe e bëri gjithë Shqipërinë Lazarat. Kjo është Republika e vjetër miqtë e mi, janë politikanët që s’duan t’ja dinë fare për ju”, u shpreh Lulzim Basha. Kreu i opozitës ka përsëritur edhe një herë se opozita është bashkuar, ndërsa qeveria është e përçarë. “Qeveria e tepsisë siç i thonë vetë vetes së tyre, është e përçarë, petët e lakrorit kanë dalë në shesh. Ne jemi të bashkuar, ata janë të përçarë. Ne duam ndryshimin ata duan ta mbajnë kështu siç janë. Ne shkojmë të motivuar për të ndryshuar jetët e çdo shqiptari, ata shkojnë për të ruajtur pushtetet dhe privilegjet e tyre. Këtu janë themelet e këtyre zgjedhjeve, këto janë zgjedhjet që ju do të bëni më 25 qershor, por para se ta bëni këtë, para gjithë shqiptarëve duhet të bëjmë një bilanc ku ndodhet Gjirokastra dhe Shqipëria”, tha kreu i PD.

Rama ka braktisur njerëzit

Tepelena ishte ndalesa e radhës e kreut të PD, Basha në vijim të fushatës elektorale. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se ekonomia shqiptare është në krizë dhe qytetarët janë të varfër. Ai ju drejtua edhe Kryeministrit Edi Rama duke i thënë se nuk e tregojnë palmat dhe sheshet me pllaka ekonominë e një vendi, por është gjendja e qytetarëve. “Ekonomia është katastrofë. Hapi veshët Edi. Ti nuk e kupton, i ke harruar njerëzit e thjeshtë. Ti ke harruar shqiptarët, ke harruar tepelenasit. Të majtë e të djathtë e duan Tepelenën. Tepelena, Kurveleshi nuk janë malet dhe luginat. Janë njerëzit. Shqipëria nuk mund të jetë një shtet serioz kur ka ekonomi të dobët. Bëj sa të duash sheshe me pllaka, nëse shqiptarët vuajnë ky mbetet një vend i varfër dhe një shtet i përgjunjur. Ne sot jemi para një zgjedhje; të vazhdojmë të mbyllim sytë siç i mbyll Edi Rama kur thotë ekonomia po rritet po populli nuk e kupton”, tha Lulzim Basha ndër të tjera.

Ndryshimi për të rrëzuar Republikën e vjetër nis nga vetja

Ndryshimi i Shqipërisë vjen duke nisur me ndryshimin nga vetja. Duke folur gjatë mitingut elektoral, Basha theksoi se ndryshimi për të rrëzuar Republikën e vjetër dhe Edi Ramën fillon nga brenda shtëpisë. Ai deklaroi se edhe brenda PD-së askush nuk e ka të përhershme karrigen dhe kjo është pjesë e ndryshimit. “Që ta mundim me votë më 25 qershor njerëzit duhet të besojnë që ne nuk jemi këtu të bëjmë estradë. Ndaj ndryshimi ka filluar në shtëpinë tonë. Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes. Unë kam marrë vendime si kryetar i opozitës, kam krijuar ekipin tim fitues, ndonëse janë vendime të vështira, janë vendime të drejta në kohën e duhur. Është koha për vendime të forta, të mëdha. Ne bashkë në çadrën e lirisë kemi marrë vendim të madh, nuk do ta lëmë më të jetë si më parë Republikën e vjetër, frytet e demokracisë do t’i gëzojë çdo shqiptar dhe çdo shqiptare dhe që të ndodhë kjo duhet t’i japim fund pazarit politik të Republikës së vjetër”, tha Lulzim Basha nga Gjirokastra. Basha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 25 qershor t’ia hedhin në fytyrë teserën e LSI dhe të bashkohen me PD. “Atje në Tiranë kemi një parti që ju e dini fare mirë që e ka kthyer teserën e vet në trisk buke për dhjetëra qindra qytetarë. Edi Ramën do ta mundim me votë, ai e përcaktoi vetë fatin e tij kur premtoi 300 mijë vende pune dhe mbolli mijëra palma dhe nuk hapi asnjë vend pune. Por është koha t’i bëjmë thirrje çdo qytetari dhe qytetareje që janë skllavëruar me teserat e LSI dhe partive të tjera të pazarit të vjetër. Hidhjuani në fytyrë më 25 qershor, nuk do të keni më nevojë. Më 25 qershor ata do të jenë njëherë e mirë jashtë pazarit, jashtë tepsisë. Republika e vjetër do të shembet, hidhjuani në fytyrë teserat, bëhuni njerëz të lirë, bashkohuni me PD dhe Bashën”.

Pas zgjedhjeve, ndryshime të rëndësishme kushtetuese

Në Parlamentin e ri të Shqipërisë që do të krijohet nga zgjedhjet e 25 qershori, do të ketë ndryshime të rëndësishme kushtetuese. Kështu është parashikuar në marrëveshjen e arritur mes Bashës dhe Ramës, që shërbeu për zgjidhjen e krizës politike. Këto ndryshime kushtetuese është rënë dakord që të votohen nga PS dhe nga PD, kushdo qoftë mazhorancë dhe opozitë nga zgjedhjet e reja. Por, çfarë konsistojnë këto ndryshime të thella kushtetuese, që Lulzim Basha insiston fort tek Republika e re. Mbrëmjen e djeshme kreu i PD ishte në Gjirokastër për fushatë elektorale. Duke folur për fundin e pazareve politike dhe krijimin e Republikës së re, që ishte kauza e çadrës së lirisë, Basha zbuloi pak nga këto ndryshime kushtetuese. Nga ajo çfarë deklaroi kryedemokrati, qytetarëve u jepet më shumë pushtet mbi deputetët që janë zgjedhur në qarqet apo qytetet përkatëse. “Me ndryshimet kushtetuese, ju do të keni të drejtën ta shkarkoni deputetin në qoftë se nuk ju përgjigjet”.

Exit mobile version